Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Gorica” dhe ka vënë në pranga dy shtetas grekë, të cilët do të trafikonin drejt Greqisë një sasi me lënë narkotike.
Në pranga ranë shstetasit Thomas Kathreptis, 48 vjeç dhe Antiopi Marinou, 34 vjeçe.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një automjet me targa greke do të trafikonte drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion final Greqinë, një sasi me lëndë narkotike, janë organizuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij.
Automjeti me drejtues 48-vjeçarin dhe pasagjere shtetasen Antiopi Marinou, u paraqit në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Goricë dhe gjatë procedurave të kontrollit kufitar mbi bazën e analizës së riskut, automjeti u kalua për kontroll në vijën e dytë.
Nga dyshimet e krijuara, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore, kaluan këtë automjet për kontroll më të detajuar në skaner, ku si rezultat u gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në pjesën e poshtme të mjetit, 37 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, nga strukturat e policisë u arrestuan në flagrancë dy shtetasit grekë të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 34 kg me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë eurosh./vizionplus.tv





