Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë vënë në pranga, përkatësisht në shtetin grek dhe atë serb. Bëhet me dije se shtetasi i ekstraduar nga Greqia akuzohet si i përfshirë në grup kriminal dhe traf lëndësh narkotike

 

“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar K. R., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi K. R. ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim.

 

Ndërkohë, Almario Vojoviç, 29 vjeç, u arrestua në Serbi dhe rezulton i dënuar me dy vite burgim për dy vepra penale.

 

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’. Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë”.

 

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Klodjan Hajderlli, 43 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në muajin mars të vitit 2022, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi narkotikët ”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 5 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *