Trembëdhjetë persona janë arrestuar të premten në veri të Malit të Zi me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Shtetit, e cila i ka akuzuar si pjesëtarë të një organizate kriminale, që sipas saj gjatë vitit të kaluar deri në tetor të këtij viti, ka bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit dhe kontrabandës me njerëz nga Pakistani, Bangladeshi, India, Siria dhe vende të tjera drejt Malit të Zi.

Në këtë kontrabandë janë përfshirë një numër i madh personash duke u mundësuar kalimin e paligjshëm të kufirit për gjithsej 352 persona, me qëllim të përfitimi financiar ose përfitimeve të tjera.

Drejtoria e Policisë së bashku me policinë kufitare, në bashkëpunim edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, në një konferencë shtypi njoftuan për arrestimin e 13 personave për 17 vepra penale.

“ Dyshohet se njëri prej personave ka formuar grup kriminal së bashku me 7 persona që merreshin me kontrabandën e emigrantëve. Këta persona u bënë anëtarë të një grupi kriminal që arriti të kontrabandonte nga drejtimi i Shqipërisë, nëpërmjet Malit të Zi mbi 350 persona, të cilët duhej të vazhdonin drejt Bosnje-Hercegovinës”, thanë zyrtarët e policisë malazeze.

Me këtë rast u theksua se aktivitetet e sotme janë konfirmim i bashkëpunimit në nivel global.

Mali i Zi ndodhet në rrugën e migrimit nëpër Ballkan, përmes së cilës njerëzit kalojnë duke ikur nga lufta dhe varfëria, në përpjekje për të arritur një shtet të BE-së./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *