Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka deklaruar se arrestimet e realizuara dje në radhët e policisë në Elbasan, më shumë se vendosjen e drejtësisë, synojnë manipulimin e ngjarjes tragjike të 21 prillit të një viti më parë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

 

Sipas Nokës, arrestimi i dy zv/ drejtorëve dhe pezullimi i 6 policëve, nuk është gjë më shumë se një përpjekje për të varrosur drejtësinë dhe i gjithë shteti u vu në lëvizje vetëm pas rrëfimit të Nuredin Dumanit.

 

FLAMUR NOKA

SEKRETAR I PERGJITHSHEM, PD

 

“Nuredin Dumani, një vrasës me pagesë, u kthye në polic, prokuror dhe SPAK të Republikës. Sepse, kur Republika kthehet në kriminale, janë kriminelët që e rrëzojnë atë përmbi kalbjen e saj. Po të kishim Republikë të ligjit dhe barazisë para tij, i pari që do të ishte thirrur në prokurori do të ishte përgjegjësi kryesor për ngjarjen, Taulant Balla.  “

 

Ndërkohë nga kryesia e Kuvendit, Oriola Pampuri në emër të deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeajn ka deklaruar se arrestimet në radhët e policisë tregojnë se shteti është vënë në funksion të vjedhjes së votave për Partinë Socialiste.

 

ORIOLA PAMPURI

DEPUTETE, PD

“Nëse do hetohet seriozisht siç tregon të paktën deri më tani rasti i Elbasanit, do dalë qartë se përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë qenë të angazhuar në blerjen e votës dhe intimidin e votuesve. E gjitha kjo  me ndihmën e Policisë apo nën hundën e saj.”

 

Një vit më parë, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve, gjatë një përplasje me armë mes mbështetësve të dy forcave politike, PD e PS mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, dhe 4 të tjerë u plagosën.

 

Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua si autor i krimit Arbër Papleka, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *