Deputetja e PD Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit dhe arrestimin e ish-deputetit së PS-së Alqi Bllako.

 

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Tabaku thekson se e gjithë kjo lojë që u vazhdua nga Lefter Koka dhe Alqi Bllako kishte dhe “ortak” në këtë skemë edhe kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, që sipas saj sot çuditërisht qëndron jashtë.

 

“Cilët janë përgjegjësit për aferën korruptive të Inceneratorit të Fierit?
Fillimisht vendndodhja për mbetjet ishte përcaktuar fshati Plyk në Bashkinë Fier. Pas shpalljes së garës ku oferta e pakërkuar ishte paraqitur nga një kompani ngritur fiktivisht dhe në pronësi të Sevi Zanit, punonjëse e Klodian Zotos, u ndryshua dhe vendi i mbetjeve në Portëz të bashkisë Fier.
Megjithëse kompania në pronësi të Klodian Zotos fitoi koncesionin e 28 mln eurove ai kërkoi ndryshimin e vendndodhjes ndonëse ishte përcaktuar fitues në një tokë shtetërore dhe pa kosto shpronësimi.
E gjithë kjo lojë që u vazhdua nga Lefter Koka dhe Alqi Bllako kishte dhe “ortak” në këtë skemë edhe kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi që sot çuditërisht qëndron jashtë. Letërkëmbimi mes Bllakos-Kokës dhe Subashit është një provë e qartë e përgjegjësisë penale të këtij të fundit që sot nuk po ndëshkohet siç edhe ligji kërkon.
Shndërrimi i tokës “Arrë” në një tokë “truall” është një përgjegjësi sa e Bllakos aq edhe Subashit. Madje ky i fundit ka një përgjegjësi më të lartë si pasojë e pagesave që ka kryer nga buxheti i bashkisë Fier.
Arrestimi i Bllakos për çështjen e tokës në Fier dhe padyshim edhe për procedurat korruptive të tenderit të Inceneratorit të Fierit nuk mund të jetë e vetme sepse të gjithë e kanë të qartë që në këtë koncesion janë përfshirë shumë zyrtarë të lartë.
VKM për shpronësimin është kaluar në Këshillin e Ministrave falë një procedure të parregullt po nga Ëngjëll Agaçi dhe firmosur nga Edi Rama.
Drejtësia selektive nuk është drejtësi dhe aq më pak barazi përpara ligjit! Ndaj detyra e SPAK është që t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.
Ripërsëris; janë 3 inceneratorë, 1 çështje e vetme dhe 430 mln euro që qartazi i janë vjedhur shqiptarëve. Koha që drejtësia të veprojë!
Video nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët dëgjesa me Armando Subashin”, shkruan Tabaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *