Policia greke tha të premten se kishte arrestuar një shtetas shqiptar që dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e katër anëtarëve të mafies malazeze në Vari të Atikës Lindore, në shtator 2020 dhe në ishullin e Korfuzit në të njëjtin vit.

Policia njoftoi se shqiptari ishte i përfshirë në ruajtjen dhe transportin e armëve të përdorura në vrasjet në Vari si dhe në arratisjen e anëtarëve të bandës pas vrasjes në Korfuz.

Policia greke konfirmoi për BIRN se i dyshuari është një shtetas shqiptar 44-vjeçar i quajtur Abas Rabi. Ai u arrestua më 27 shkurt.

Në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë, karikatorë armësh dhe 40 gëzhoja. Dosja hetimore i është dorëzuar prokurorëve.

Dy shtetasit e Malit të Zi u vranë në një restorant në Vari në janar 2020 teksa drekonin me familjet e tyre.

Ndra i plagosur mbeti edhe një i afërm i njërit prej viktimave.

Në vendngjarje u gjetën 24 gëzhoja.

Në korrik 2020, sipas policisë greke, dy malazezë të tjerë u vranë në një vilë në plazhin Halikouna në Korfuz. Viktimat, Alan Kozar dhe Damir Hadzic, kishin plagë të shumta me armë zjarri. Gjatë autopsisë janë mbledhur 32 gëzhoja.

Në shkurt, mediat në Mal të Zi dhe Serbi raportuan se policia serbe dhe greke ishin afër zgjidhjes së vrasjes së dyfishtë në Korfuz.

Dëshmitë sugjerojnë se pagesë 1.5 milionë euro qëndron pas vrasjeve në Korfuz, pjesë e një lufte të përgjakshme midis dy bandave famëkeqe malazeze, Kavac dhe Skaljari, e cila ka lënë rreth 100 njerëz të vdekur në të gjithë Evropën në dekadën e fundit.

Dy malazezët që u qëlluan për vdekje nga katër persona të armatosur të maskuar në sy të familjeve të tyre teksa po darkonin në një tavernë në Vari, Athinë, quheshin Igor Dedoviç dhe Stevan Stamatoviç, të dy 43 vjeç, të dy dyshohet se ishin anëtarë të klanit Skaljari.

Ata kishin urdhër-arreste ndërkombëtare në pritje në lidhje me krijimin e një organizate kriminale, tentativë vrasjeje dhe shkelje të ligjeve për armët dhe eksplozivët.

Policia greke tha se gjithsej 39 persona janë identifikuar si autorë të katër vrasjeve, tetë si “autore kryesorë” dhe 23 si bashkëpunëtorë.

Disa janë arrestuar në Serbi dhe Spanjë, me arrestimin e fundit të një shqiptari në Greqi, 17 prej tyre tani janë në qendrat e paraburgimit në Serbi, Mal të Zi dhe Turqi.

Klanet Skaljari dhe Kavac janë dy nga organizatat kriminale më të fuqishme në Mal të Zi. Dedovic dhe Kozar konsideroheshin si drejtues të bandës Skaljari së bashku me Jovan Vukotiçin, i cili u vra në Turqi në vitin 2022.

Të dyja bandat e nisën aktivitetin e tyre kriminal nga qyteti i Kotorrit, fillimisht si një grup i vetëm, duke trafikuar drogë nëpër Evropë të kontrabanduar nga Amerika e Jugut.

Të dy grupet e vrasjeve në Greqi në vitin 2020 besohet se lidhen me një sekuestrim rekord në Filadelfia në qershor 2019 të 20 tonëve kokainë të zbuluar në një anije konteinerësh me flamur Liberian.

Policia greke deklaroi se, për të arritur qëllimin e saj, një pjesë e bandës merrej me identifikimin dhe mbikëqyrjen e viktimave, marrjen me qira të shtëpive dhe automjeteve, si dhe furnizimin dhe ruajtjen e armëve dhe pajisjeve. Të tjerët kishin rolin e “ekzekutuesve”, të vrasjeve.

Tregues i strukturës së tyre profesionale dhe mënyrës së funksionimit të tyre, ishte lehtësia e tyre në gjetjen dhe transportimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve dhe shumave të mëdha të parave. Për rastin Vari kërkohej një shumë prej 2.000.000 euro.

Policia greke bashkëpunoi me Europolin dhe me policinë në Serbi, Francë, Belgjikë dhe Holandë për të zbuluar vrasjet. U krijua një ekip i përbashkët hetimor ndërsa u përdorën hetime dixhitale në shkallë të gjerë si dhe hetime speciale policore.

Gjykata e Lartë e Beogradit të premten urdhëroi 30 ditë paraburgim për gjashtë personat e arrestuar të mërkurën në lidhje me këto krime. Policia serbe tha të mërkurën se nëntë persona në tre vende ishin arrestuar gjithsej dhe tha se organizatorët e këtij grupi kriminal ishin Darko Saric, Veljko Belivuk dhe Radoje Zvicer, të gjithë anëtarë të klanit të Kavacit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *