Dy persona të tjerë janë arrestuar këtë të dielë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se janë të përfshirë në skemën e korrupsionit në lidhje me tenderin e supervizimit për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës.

 

Sipas burimeve, në pranga ka rënë administratori i kompanisë private ‘Dricons’, Vladimir Topi. Është arrestuar gjithashtu inxhinieri i kësaj kompanie, Silvi Shehi.

 

Nga hetimet e para dyshohet se Shehi ka marrë shumën prej 330 mijë lekësh të rinj nga Topi dhe ia ka dhënë zyrtares Laura Sheto. Kjo e fundit ia ka dorëzuar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.

 

SPAK shprehet se kjo shumë dyshohet se është dhënë si ryshfet, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme tenderin e supervizimit.

 

Pasditen e së premtes u arrestuar zyrtarja e lartë Joana Duro, si dhe vartësja e saj. Ndërsa shuma e parave u sekuestrua në zyrën e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Këtë të dielë, prokurori i çështjes, Dritan Prençi, dorëzoi në gjykatën e posaçme kërkesën për caktim të masës së sigurisë, ku sipas burimeve ai ka kërkuar arrest me burg për Duron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *