40 shoferë u arrestuan në orët e fundit për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Gjithashtu, janë hequr gati 200 patenta, si edhe janë vendosur mijëra gjoba.

 

“Si rezultat i kontrolleve të kombinuara nga Policia Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 40 drejtues mjetesh, nga të cilët 28 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 12 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar 198 leje drejtimi, nga këto 136 për shpejtësi tej normave të lejuara, 47 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 15 për qarkullim në sens të kundërt. Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4519 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.”

 

Policia goditi edhe tre raste të korrupsionit aktiv, kur shoferët u ofruan para efektivëve që të mos gjobiten.

 

“Nga Policia rrugore e Tiranës janë proceduar penalisht shtetasit  B. D. dhe P. H., të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet që kishin kryer. Nga Policia Rrugore e Dibrës u arrestua në flagrancë shtetasi D. C.,  48 vjeç, banues në Bulqizë, pasi nga kontrolli me aparatin drager, ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.67 mg/l, dhe për të shmangur masën administrative, ka tentuar të korruptojë  punonjësit e Policisë.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *