Kandidati i “Lëvizjes Bashkë” për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Arlind Qori, u shpreh besimplotë se rezultati i 14 majit do të jetë i jashtëzakonshëm.

 

I ftuar në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, Qori theksoi se ai zhvillon takime në terren me qytetarët dhe ka marrë mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

 

“Nga mëngjesi në darkë jemi në rrugë, shumë aktivistë e unë bashkë me ta, nga dyqani në dyqan e nga lagja në lagje, madje dhe derë më derë. Kemi trokitur në mijëra dyer të kryeqytetit, një pjesë e mirë janë hapur, njerëzit na presin mirë”, tha ai. “Unë kam përshtypjes se nëse shumica dërrmuese e atyre që na premtojmë mbështetje do të na votojnë vërtetë më 14 maj ne do të kemi rezultat të jashtëzakonshëm”, shtoi ai.

 

“Lëvizja Bashkë” kandidon për herë të parë në zgjedhje dhe përballë ka kundërshtarë politikë që përfaqësojnë logo të partive që ekzistojnë që në nisjen e pluralizmit në vend, si Erion Veliaj nga PS apo Roland Bejko i PD zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *