Subscribe

Policia e Shtetit doli në një deklaratë zyrtare, një ditë pas vrasjes së ndodhur në qendër të Elbasanit. Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu shpjegoi dinamikën sesi ndodhi krimi.

 

Ai deklaroi se autoritetet janë informuar nga një simpatizant i PD për një sherr të nisur për mbrojtjen e votës. Kryepolici zbardhi edhe emrat e protagonistëve në ngjarje.

 

Gjithçka ka ndodhur sepse vullnetarë të PD kanë dyshuar se në një mjet, PS po shpërndante sende të paligjshme për të blerë vota. Por Policia e Shtetit nuk e pohoi diçka të tillë.

 

“Më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, janë njoftuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nga shtetasi Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurinë  për shtabin elektoral  të subjektit politik Partia Demokratike për  qarkun  Elbasan, së në rrugën ”Lef Nosi”, në qytetin e Elbasanit, kishte një incident me disa persona. Nga ana e Policisë është vlerësuar informacioni dhe menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë  një patrullë e Forcës  së Posaçme “Shqiponja”, dhe dy zv.drejtorët e Policisë së qarkut, ai i Hetimit dhe ai i Sigurisë. Në vendngjarje, shtetasi Arjan Hoxha është shkëputur nga grupi i personave që e shoqëronin dhe ka komunikuar me punonjësit e Policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash për një subjekt politik.  Po kështu grupi i personave të ndaluar kanë bllokuar qarkullimin e automjetit  fuoristradë ML të drejtuar nga shtetasi M. G., duke i prerë rrugën,  marrë çelësin e automjetit. Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer  veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim. Shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe  Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie  dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan.”

 

Ardi Veliu tha se janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit:

 

Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për  kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim.

U shpall në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”  dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

 

Po ashtu, është arrestuar shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

 

Si prova materiale janë sekuestruar 20 gëzhoja të kalibrave  9  dhe 11.1 milimetra,  4 predha,  tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celularë, një armë zjarri “Glock”  dhe pamje filmike.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *