Kryetari i Kuvendit Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, Mimi Kodheli, Aldrin Dalipi dhe Ambasadorja e Shqipërisë, në Itali Anila Bitri, vizitoi rajonin Molise, ku përuroi bustin e Skënderbeut dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi”, i Portocannones, qytet arbëresh.

Për të pritur delegacionin shqiptar kishin dalë me qindra banorë të qytetit, autoritete lokale dhe fëmijët e shkollave. Një flamur gjigand kuqezi ishte vendosur në sheshin qendror të qytetit dhe valvitej në duart e dhjetëra  fëmijëve.

Kryetari i Bashkisë, Giuseppe Caporicci.

“Është një nder i madh për qytetin tonë të kemi mes nesh për herë të parë një autoritet të lartë shtetëror nga Shqipëria. Dhe këtë respekt na e bëri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi”.Ne i jemi atij thellësisht mirënjohës për nxitjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të katër komunave arbëreshe të rajonit Molise me Shqipërinë dhe për sjelljen mes nesh të bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut dhe qyteti nderohet duke i dhënë Gramoz Ruçit titullin “Qytetar Nderi”.

 

Kryetari i Kuvendit, Ruçi përuroi bustin e Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami, dhuruar Bashkisë së Portocannones, nga Këshilli i Qarkut Tiranë. Busti i heroit tonë kombëtar, u vendos në hyrje të ndërtesës së bashkisë së qytetit.

Pasi falenderoi kryebashkiakun Caporicci për inisiativën, Gramoz Ruçi nënvizoi se:

 “Nuk sollëm ne Skënderbeun, por na solli Skënderbeu mes jush dhe na bëri bashkë, Skënderbeu është një figurë e madhe europiane e botërore, për betejat legjendare që udhëhoqi për mbrojtjen jo thjesht të vendit të tij, por të Europës, të frymëzuara nga vizioni i krishtërimit e qytetërimit europian. Thënia e tij e njohur “Lufta ime është lufta juaj”, drejtuar kancelarive dhe aleatëve të pavendosur europianë, përmbante farën e idesë se që para pesë shekujsh, por më shumë, në botën e ardhshme globale, fatet e kombeve, shteteve dhe popujve ishin dhe mbeten të ndërvarur.   Prandaj nuk mund të ketë prosperitet, paqe dhe siguri nëse popujt, kombet dhe forcat progresiste nuk bëhen bashkë kundër të këqijave të kohës.”

Kryetari i Kuvendit Ruçi, pasi falenderoi Kryetarin e Bashkisë Caporicci  dhe autoritetet lokale për vlerësimin e lartë dhe premtoi rritje te kontributit te tij per fuqizimin e bashkëpunimit midis të dy anëve të Adriatikut, sidomos bashkëpunimin midis qarqeve dhe bashkive të të dy vendeve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *