Sekretari Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral në PS, Arben Pëllumbi deklaroi se socialistët do të marrin edhe një mandat të tretë. Nga studio e lajmeve të “Vizion Plus”, Pëllumbi tha se nga sondazhet dhe takimet me qytetarët, del në pah se ata duan që PS të vijojë qeverisjen e vendit.

 

“PS ka objektivat e veta, ne jemi përgatitur, po punojmë, jo thjesht kemi ndezur motorët sepse i kemi patur vazhdimisht të ndezur edhe këtë verë, duke patur parasysh situatën e krijuar edhe nga pandemia. Për këtë arsye ne jemi në rrugën tonë të përgatitjes së fortë për mandatin e tretë. Këtë mandat nuk e kërkojmë vetëm se jemi në garë, por sepse jemi të bindur se jemi forca e vetme që mund të përfundojmë reformat e nisura dhe mund të çojmë Shqipërinë në BE. Kjo është një bindje që vjen nga kontaktet që kemi, nga sondazhet që bëjmë, nga opinioni i përgjithshëm që marrim, na thonë se ne duhet të vazhdojmë të qeverisim këtë vend.”

 

Arben Pëllumbi tha se socialistët do të dalin para elektoratit me një bilanc të punëve që janë bërë dhe të premtimeve që nuk janë mbajtur.

 

“PS është forca më e madhe në këtë vend, më e organizuar dhe nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e aftë dhe të përgjegjshëm për të drejtuar. Ne tani fillojmë fushatën dhe do të dalim para njerëzve me aq sa do të na lejojë pandemia, me të gjitha ato që kemi premtuar, çfarë kemi bërë, do të bëjmë bilanc. Besoj se me 8 vite qeverisje, jemi qeveria e parë me një bilanc shumë pozitiv. Situata sot për PS është krejtësisht e ndryshme nga situata në 2005 dhe nuk ka lidhje me situatën e PD në 2013.”

 

Socialisti foli edhe për mbledhjes e Asamblesë së PS. Ai deklaroi se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për procesin zgjedhor brenda PS, por edhe për përgatitjen për fushatën elektorale. Pëllumbi shpjegoi se akoma nuk është vendosur një datë për mbledhjen.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *