Arabia Saudite hap kinemanë e parë

Kompania më e madhe e kinemasë amerikane ka vendosur të dërgojë ekranin e argjendtë në Arabinë Saudite. Firma e njohur AMC njoftoi se ka marrë licencën e parë të operimit dhënë nga Ministria e Kulturës Saudite pas heqjes se “moratoriumit” ndaj kinemave pas rreth 35 vitesh ndalim.
Marrëveshja përfshin hapjen e të paktën 30 kinemave në të gjithë mbretërinë në pesë vitet e ardhshme, ndërsa teatri i parë AMC do të hapet në Riad, kryeqytetin saudit, më 18 prill.
Kjo ka bërë që kompanitë e tjera të kinemave amerikane të interesohen për zgjerimin e tyre në tregun e ri në mbarë vendet e gjirit.
Megjithatë filmat që do të shfaqen do të jenë të titruar në gjuhën arabe dhe nuk do të përmbajnë skena të natyrës seksuale.
Arabia Saudite po kalon një ristrukturim ekonomik dhe qeveria nën drejtimin e princit Muhammad Bin Salman, po investon miliarda në sektorin e argëtimit.
Nga ana tjetër, trashëgimtari 32 vjeç ka vendosur t’u japë më shumë të drejta grave. Ai urdhëroi dhjetorin e vitit të kaluar përgatitjen e një projektligji që i lejon femrat në Arabinë Saudite, të drejtojnë automjete, ligj i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin qershor.
Për herë të parë në Arabinë Saudite, gratë gjithashtu do të mund të ndjekin ndeshjet sportive së bashku me bashkëshortët e tyre.




