Subscribe

Mbetet ende i lartë numri i personave që nuk zotërojnë një dokument të vlefshëm identifikimi. Të paktën 800 mijë është numri i personave që mund të privohen nga e drejta për të votuar nëse në më pak se tre muaj nuk rinovojnë kartat e identitetit apo pasaportat biometrike.

Shqetësimit të ngritur si nga faktori politik dhe nga diplomatët e lartë në vend, për një pjesëmarrje sa më të madhe në parlamentaret e Prillit i është bashkuar edhe presidenti Ilir Meta.

Ai ishte në gjendjen civile për të tërhequr dokumentet e reja të identifikimit. Të njëjtin apel i bëri edhe qytetarëve që të verifikojnë vlefshmërinë e kartave të identitetit apo pasaportave dhe të aplikojnë në kohë për të marrë pjesë në atë që e quan referendumin historik të 25 Prillit. Çdo neglizhencë thotë kreu i shtetit penalizon të ardhmen evropiane të vendit.

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, numri i madh i qytetarëve që nuk i janë përgjigjur thirrjes për t’u pajisur me dokumente të vlefshme është i ngjashëm me atë të 2019-ës, ku mbi 1 milionë qytetarëve u skaduan kartat e identitetit dhe pasaportat, dhjete vite pas aplikimit për herë të parë me dokumentet e reja biometrike.

Problematika është mbartur, për të bërë që sot 86 ditë para zgjedhjeve, të jenë mbi 800 mijë shtetas me karta e pasaporta të skaduara.

Në funksion të kësaj si lehtësi për qytetarët, nga nesër, të gjitha zyrat si ato në gjendjet civile dhe të kompanise do të jenë të hapura për t’u dhënë mundësinë qytetarëve që në ditën e pushimit të aplikojnë për dokumentet e identifikimit.

Jo vetëm kaq, por për ata që ri-aplikojnë për kartë identitetit apo pasaportë, pavarësisht vendbanimit, mund ta kryejnë në çdo gjendje civile apo zyrë të ALEATIT, me kushtin e vetëm që po aty t’i tërheqin.

Ndërsa për ata që pajisen për herë të parë me kartë identiteti, do të aplikojnë në gjendjen përkatëse civile. Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, parashikon edhe një orar të zgjatur. Nëse nëpër sportele ka ende njerëz që kërkojnë të pajisen me dokumente të vlefshme identifikimi, procesi do të vazhdojë përtej orarit zyrtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *