Apeli rrëzon kërkesën e vjehrrës së Erion Veliajt, nuk i heq sekuestron vilës në Qerret! Ajola Xoxa kërkon kthimin e llogarive bankare

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës për heqjen e sekuestros së një vile që ndodhet në Qerret. Valbona Xoxa kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, por gjyqtari Engert Pëllumbi me një vendim të ditës së sotme, 10 mars, e rrëzoi kërkesën e saj.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në vendim.
Ndërkohë ditën e sotme në Gjykatë është paraqitur Ajola Xoxa, e cila ka ankimuar sekuestrimin e llogarive bankare.
Valbona Xoxa u paraqit në SPAK më 19 shkur, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj dhëndrit të saj Erion Veliaj dhe vajzës së saj, Ajola Xoxa.
Ajo u pyet si person në dijeni për momentet në të cilat përmendet emri i saj në dosjen e SPAK.
Ajo ka dëshmuar për origjinën e vilës në Qerret, si dhe për transaksionet e kryera me kompaninë “Ava Studio”, ku administratore ishte vetë Valbona Xoxa. Njëherësh, kjo e fundit në dosje rezulton se ka përdorur kartën e saj bankare edhe për blerjet online të së bijës, Ajola Xoxa.
Bashkëshortja e Erion Veliajt dyshohet se ka kryer korrupsion në bashkëpunim 9 herë, pastrim parash dhe fshehje pasurie./vizionplus.tv




