Subscribe

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është dënuar përfundimisht me burg. Pas më shumë se 4 orësh, Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë vendimin përfundimtar duke e dënuar atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 3 vite e 4 muaj. I pranishëm në seancën gjyqësore ishte vetë Saimir Tahiri, i cili nga pamjet ishte i tensionuar në pritje të vendimit.

 

Gjykata në vendimin e saj ka hedhur poshtë konvertimin e shkallës së parë me shërbim prove, ndërsa togat e zeza shtuan se provohet lidhja e Tahirit me Moisi e Artan Habilajn.

 

Dënimi i Tahirit nis menjëherë pas publikimit të vendimit të formës së prerë. Pas vendimit, ai është munduar që të ruajë qetësinë, por ka preferuar që mos të komentojë asgjë për mediat. Në “Facebook”-un e tij është publikuar një mesazh, ku Tahiri shkruan se kjo është një padrejtësi dhe se ai nuk e ka shkelur kurrë ligjin.

 

“Ju dua shume te gjitheve! Me vjen keq qe shkoi keshtu. Jam moralisht i qete, nuk kam shkelur kurre ligjin, kam dashuruar cdo dite te punes sime, jam i lumtur qe kam bere detyren sic me mire munda. Eshte thjeshte PADREJTESI”, shkruan Tahiri.

 

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i Posaçëm e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë.

 

Pas këtij vendimi, ish-ministri bëri rekurs në GJykatën e Lartë, e cila e ktheu sërish në Apelin e Posaçëm me trupë të re drejtuese.

 

Fillimisht Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Tahiri bëhet ministri i parë i Brendshëm që dënohet për shpërdorim detyre me vendim të formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *