Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka pezulluar përkohësisht fluturimet që vijnë nga Italia veriore, pas përhapjes së madhe të koronavirusit që mori jetën e 230 personave deri të shtunën, me më shumë se 36 viktima brenda 24 orëve.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se vendimi vjen pas pranimit të rekomandimit emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër koronavirusit.

“Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet – për e nga Italia Veriore – janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, tha Abdixhiku.

Italia ka vendosur 16 milione njerez ne karantine per shkak te koronavirusit.

Banorët në 15 provinca qendrore dhe veriore të Italisë duhet të marrin leje për të udhëtuar. Milano dhe Veneto janë tashmë të përfshira nga ky virus.

Shkollat, palestrat, pishinat dhe qendrat e skijimit do të mbyllen tërësisht si dhe të gjitha ngjarjet publike do të anulohen, tha kryeministri i Italisë Giuseppe Conte.

Këto masa të jashtëzakonshme do të zgjasin deri më 3 prill./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *