Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, për të skicuar qëndrimin e opozitës në raport me zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë.

 

Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, me urdhër të presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

 

 

SALI BERISHA

“PD dënon me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe aktin e tij hakmarrës dhe sherrndjellës mes dy vendeve fqinjë të një kombi, në një klimë të acaruar.”

 

Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndeti qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër projektit dhe rolit si negociator të shefit të qeverisë Edi Rama.

 

 

“PD përgëzon refuzimin nga autoritetet e Kosovës për të diskutuar me Edi Ramën projektin e Vuçiçit, njësoj siç bëri me hartat e ndarjes së Kosovës.”

 

Por nga ana tjetër, Berisha përsëriti apelin që Kosova të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar, për të ulur tensionet në veri të vendit.

 

 

“PD e Shqipërisë iu bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bashkërendojnë përpjekjet e tyre me BE dhe SHBA për shtensionimin e situatës dhe rikthimin në tryezën e dialogut. “

 

Nga ana tjetër, Berisha u pozicionua kundër sanksioneve ndaj Kosovës.

 

“PD i konsideron sanksionet ndaj Kosovës, një demokraci e re dhe e suksesshme, popullit të të cilit nuk i janë mbyllur plagët akoma, si një akt të pajustifikuar me ligjin ndërkombëtar dhe moralin e vendeve të lira.Kosova është një bastion i euroatlantizmit në rajon. Ato sanksione do ishin një shpërblim i pamerituar për autokratët Rama-Vuçiç, që janë të lidhur kokë e këmbë.”

 

Sipas Berishës, shkak i krizës në rajon nuk janë shqiptarët, por është nacionalizmi serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *