Vendimi i mazhorancës për t’u tërhequr momentalisht nga votimi i paketës anti-shpifje u përshëndet nga dy eurodeputete. Isabel Santos tha se ky vendim tregon se Shqipëria po bën hapa drejt Bashkimit Evropian.

 

“Unë e shoh vendimin e sotëm si një shenjë tjetër të dëshirës së Shqipërisë për të bërë përparim drejt anëtarësimit në BE. Gatishmëria për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me Këshillin e Evropës përmes Komisionit të Venecias, Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare tregon që vendi vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj procesit të pranimit. Shpresojmë që ky të jetë një sinjal më shumë për vendet anëtare të BE-së që duhet të zhbllokojmë shpejt këtë situatë. Nga ana jonë, duhet të përputhemi me veprimet e treguara sot nga mazhoranca në Parlamentin shqiptar me më shumë përparim.”

 

Ndërsa eurodeputetja Kati Piri u shpreh se këtë herë Shqipëria tregoi se mund t’u përmbahet rregullave evropiane. Ajo kërkoi që të gjitha forcat politike në vend t’i trajtojnë me seriozitet rekomandimet e Komisionit Evropian.

 

“Ky është një vendim shumë i mirë dhe i pjekur i mazhorancës në Parlamentin shqiptar, pasi liria e mediave është kushti kryesor për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Kjo tregon një gatishmëri për t’iu përmbajtur rregullave evropiane, bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe respekt për vlerat tona. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të marrin shumë seriozisht rekomandimet e Komisionit të Venecias përpara se të votohet ligji i ri për median.”

 

Këtë të enjte, në mënyrë të beftë, mazhoranca u tërhoq nga votimi i paketës anti-shpifje në Parlament, ku ishte parashikuar të rrëzohej dekreti i presidentit Ilir Meta. Kryetari i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla se mazhoranca do të presë opinionin e Komisionit të Venecias.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *