Angela Merkel vizitë në SHBA

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të takohet sot me presidentin e SHBA, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë një vizitë ndryshe nga ajo e presidentit francez. Pa darka zyrtare, fjalime në kongres apo pritje madhështore. Ajo do të zgjasë vetëm 3 orë.
Merkel do të vizitojë Uashingtonin me një qëllim kryesor: të shmangë një luftë tregtare midis SHBA-ve dhe Europës. Por në Berlin ka pesimizëm për suksesin e këtij synimi. Ndërkohë, kompanitë europiane mbeten të përjashtuara nga tarifat ndëshkuese mbi çelikun dhe aluminin, që Trump i njoftoi këtë Mars.
Në lidhje me marrëveshjen me Iranin, Merkel pritet të vazhdojë thirrjet e Makronit e t’i kërkojë Trump-it të mos e tërheqë Amerikën nga pakti bërthamor, të cilën ai e ka quajtur si marrëveshja më e keqe e bërë ndonjëherë.




