Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste hapi sot vitin e ri kuvendor në një mbledhje ku mbajti fjalën Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e procesit të negociatave për ligjet europiane dhe rolit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai u shpreh se draftet ligjore, pasi negocohen me Komisionin Europian dhe imponohet qeverisë, duhet të miratohen në Parlament dhe jo të diskutohen, duke nënvizuar se çdo hap drejt integrimit kërkon fokus dhe përkushtim.
Kryeministri vuri theksin te rëndësia e përfshirjes së grupit parlamentar dhe informimi i deputetëve gjatë gjithë procesit, si dhe te modernizimi i administratës së Kuvendit dhe transformimi teknologjik për të përmirësuar funksionimin e institucionit.
Fjala e Ramës:
Negociatat mbi një draft, që hyjnë në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian, negociohet me Komisionin, i imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Në momentin që vjen në Parlament duhet miratuar, jo diskutuar. Sepse për t’i hyrë diskutimit të një ligji të tillë, duhet më parë të diskutojmë a duam të hyjmë në BE apo jo.
Disa shokë dhe kolegë këtu bëjnë gabimin tim deri kur e mësova që nuk duhej bërë. Marrin një draft që vjen nga qeveria, që është negociuar përmes skuadrës negociatore, dhe fillojnë t’i referohen vendeve të tjera të BE. Franca nuk e ka kështu, Gjermania nuk e ka kështu. Miqt e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë. Duke shpresuar që e dini që nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të përthyeshëm.
Kur ngre pretendimin që do ta bësh si Franca, duhet të jesh si Franca. Ju jeni Shqipëria. Jeni ju që keni kërkuar të jeni pjesë e familjes tonë, jemi shumë të lumtur, por kemi këto kushte.
I gjithë procesi i antarësimit është një proces që ka sjellë rëndim të kushteve për atë që ka ardhur më pas. Ata që kanë hyrë në fillim në BE e kanë pasur shumë më të thjeshtë procesin dhe janë bërë anëtarë me shumë më pak kushte. Kanë qenë shumë më pak të përgatitur se ç’jemi ne sot.
Pika tjetër është që duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e grupit parlamentar dhe qeverisë. Kam parasysh këtu dy ministra që drejtojnë negociatat. Kjo është pjesa që lidhet me fazën para përmbylljes së negociatës. Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për të dëgjuar nga grupi. Informacion i ndërsjelltë, që të gjithë deputetët, për shkak të përkatësisë në komisione, të mund të kontribuojnë në procesin e draftimit, të jenë të informuar dhe të kontribuojnë.
Ky format do të zhvillohet çdo muaj.
Dua të prek një tjetër aspekt, për të cilin kam folur edhe në fjalën para Asamblesë: aspektin e ndryshimeve brenda pushtetit legjislativ. E filluam me komisionet. Sot patjetër që do dëgjojmë se çfarë opinioni keni lidhur me këtë formulë të re që kemi me numrin e komisioneve. Duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit, që duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik. Duhet, sigurisht, të vendosim piketat në një kalendar të qartë për godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës që bëjmë, por ndihmon për t’i dhënë hapësirë dhe energji punës së deputetëve. Këta të fundit duhet të mos ndërpresin, por ta artikulojnë më mirë punën që nisi shumë mirë pas zgjedhjeve në territor. Ribraktisja e territorit, si zakonisht në të shkuarën, nuk duhet dhe nuk mund të jetë një opsion për këtë grup parlamentar.
83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë. 83 mandatet imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike. Duke nisur nga detyrimi që në fund të 2027 të dalim para atyre që na dhanë mandatet dhe t’i themi: E bëmë atë që ju kërkuat me votën tuaj. I mbyllëm negociatat me BE. E bëmë detyrën tonë.
/vizionplus.tv





