Anëtar i një grupi kriminal në Tiranë/ Detaje nga arrestimi i 36-vjeçarit në Tiranë, 13 vite më parë ka vrarë një person në Lezhë
Një person i rrezikshëm që qarkullonte me armë zjarri në brez është kapur nga Policia.
Në pranga ka rënë Erind Mrruku. 36-vjeçari në momentin e arrestimit kishte një pistoletë me fishek në fole gati për qitje.
Policia ka nisur hetimet pasi ka dyshime të forta se i riu kishte një shënjestër dhe ishte gati për të kryer një atentat.
Deri tani nuk dihet se kush mund të ishte objekt i sulmit, ndërkohë po verifikohet nëse Mrruku ka patur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.
Pas kontrollit në banesën e tij, u gjet një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celularë etj. Mrruku njihet nga blutë edhe për faktin se ai bënte pjesë në një grup të strukturuar kriminal që vepron në Tiranë.
Në lidhje me armën e zjarrit Mrruku nuk ka pranuar të tregojë dhe nuk është shprehur përpara hetuesve.
36-vjeçari i arrestuar është një emër i njohur për policinë.
Ai rezulton i dënuar në 2010 për vrasjen e këngëtarit Fabian Nikaj. Ai u vra nga Mrruku pas një konflikti të çastit në Shëngjin. Më pas Mrruku e ndoqi këngëtarin deri në qytetin e Lezhës, ku e vrau pak metra larg komisariatit të policisë.




