Shkaku i helmimit të banorëve të Bulqizës vijon të mbetet mister.

 

Edhe pse rastet e personave të helmuar shtohen çdo ditë, ISHP ka bërë me dije se përgjigja e analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm të marrë në rrjetin e ujësjellësit të Bulqizës ka rezultuar negative.

 

Sipas ISHP, për një përgjigje më të plotë për identifikimin e shkaktarit të simptomave duhet të priten rezultatet e analizave të tjera.

 

“Përgjigja e analizave të para për ujin në Bulqizë. Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë. Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë. Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *