Amvisat në Korçë ruajnë traditën, gatime me recetat e trashëguara brez pas brezi
Vetëm pak kilometra larg nga Korça, në fshatin Dishnicë, jeton Lindita Latollari, një amvisë që prej shumë vitesh i është përkushtuar ruajtjes së traditës së kuzhinës së vjetër shqiptare
Në shtëpinë e saj, puna nuk ndalet pothuajse asnjëherë. Me përkushtim dhe durim, Latollari përgatit një shumëllojshmëri produktesh tradicionale: reçelra të ndryshëm, gliko frutash, turshi, si edhe petka e trahana, ushqime që prej kohësh janë pjesë e tryezave të familjeve në juglindje të vendit.
Kati i nëndheshëm i banesës së saj private është kthyer në një magazinë të vogël, ku radhiten kavanoza të shumtë me përgatitje tradicionale. Çdo gjë bëhet me receta të trashëguara dhe me produkte të zonës, duke ruajtur shijen autentike të kuzhinës së dikurshme. Pjesa më e madhe e këtyre përgatitjeve është për familjen e saj, por shpesh ato bëhen edhe dhuratë për fqinjët, miqtë dhe të afërmit. Për Linditën, kjo nuk është thjesht një punë shtëpie, por një mënyrë për të ruajtur traditën dhe për ta ndarë atë me të tjerët.
Në juglindje të Shqipërisë, amvisat njihen prej kohësh për mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e reçelrave, glikove, turshive, petkave, trahanasë e deri te pasterma. Këto receta janë pjesë e një kulture të trashëguar brez pas brezi, që vazhdon të jetojë falë grave si Lindita Latollari, të cilat me përkushtim mbajnë gjallë shijet e traditës.raditës.




