120 të burgosur ne burgun e Drenovës pas miratimit të amnistisë përfitojnë lirinë e tyre si dhe ulje dënimi.

Burime të siguruara nga gazetari i Vizion Plus, Tonin Frroku, thanë se 40 të burgosur për vepra të ndryshme penale falë kësaj amnistie do të lënë qelitë e burgut të Drenovës ndërkohë që 80 të tjerë do të kenë ulje dënimi për kohën e mbetur.

120 të burgosur që përfitojnë nga amnistia janë dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, dhënie e ndihmës së paligjshme të kufirit, vjedhje si dhe vepra të tjera penale.

Për të gjithë personat që përfitojnë nga aministia drejtoria e burgut të Drenovës ka bërë gati dosjet e tyre dhe ja ka paraqitur ministrisë së linjës.

Me 110 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë  miratoi dje  Ligjin për amnistinë penale, nga i cili pritet të përfitojnë afër 1.100 të dënuar, 700 nga të cilët do të lirohen menjëherë. Miratimi i amnistisë u bë i mundur pas marrëveshjes që u arrit pak ditë më parë mes shumicës parlamentare dhe një pjese të opozitës, marrëveshje që i dha fund bllokimit dhe tensioneve në seancat plenare.

Partia Socialiste dhe grupi i deputetëve të ‘Rithemelimit’ brenda Partisë Demokratike gjetën pajtim duke zgjidhur kështu ngërçin që mbante bllokuar votimin e këtij ligji. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Gjithashtu do të përfitojnë 2.700 persona që janë në shërbim prove.

Nga amnistia do të pushohen menjëherë dhe 232 dosje të protestuesve të opozitës.

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *