Qyteti muze i Beratit ka një traditë të hershme në gjimnastik, duke renditur ndër vite çmime kombëtare si në grup moshat e të rriturve ashtu dhe në grup moshat e të rinjve. Por, ndonëse nga ekipi i gjimnastikës në këtë qytet çdo vit dalin fitues sportis, ata stërviteshin në një palestër që vetëm emrin kishte të tillë, pasi jo vetëm nuk plotësonte asnjë lloj kriteri, por godina ishte lënë krejtësisht pas dore.

 

Për herë të parë ekipi i gjimnastikës do të ketë një mjedis të përshtatshëm, ndërkohë që federata ka premtuar paisjen me mjetet e nevojshme. Një investim i bashkisë së Beratit mundësoi që godina aktuale e palestrës, e cila ndodhet në lagjen “Donika Kastrioti” të ketë krejtësisht në mjedis të ri.

 

Vlera e investimit të financuar nga Bashkia e Beratit kap rreth gjashtë milionë  lekë të reja dhe punonjësit e firmës kontraktuese janë thuajse në fazën e fundit të kryerjes së punimeve, gjatë të cilave janë realizuar; suvatime të reja brenda dhe jashtë ndërtesës, hidroizolim, shtrimi me tartan i dyshemesë, punime hidraulike dhe elektrike, ndarja e hapësirave, vendosja e saunës për sportistët, e portave të reja, si dhe lyerja me bojë e ndërtesës.

 

Kryetari i Bashkisë së Beratit Petrit Sinaj u shpreh gjatë inspektimi të punimeve se nevojat për ndërhyrje ishin të mëdha:

 

“Ky ka qenë një ambient i degraduar, i lënë në harresë qysh prej 30 vjetësh. Një arsye më shumë për rikonstruksionin e kësaj palestre ka qenë fakti se sportistët e gjimnastikës, edhe pse janë stërvitur në kushte të vështira, falë dëshirës dhe pasionit për këtë sport, por edhe përkushtimit të trajnerëve të tyre, kanë arritur të dominojnë kampionatin e gjimnastikës duke u shpallur për të disatën herë kampion kombëtar.”

 

Ndërsa, trajneri i ekipit të gjimnastikës. Shkëlqim Muhametaj u shpreh se rikonstruksioni i palestrës, e shndërron atë në një mjedis me parametra dhe standarde evropiane, do të shërbejë për t’i motivuar edhe më shumë sportistët e gjimnastikës, në mënyrë që edhe arritjet dhe sukseset e tyre të jenë të niveleve evropiane.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *