Falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane, 83 persona me aftësi ndryshe në Shkodër, do të kenë mundësinë të jetojnë në ambiente dhe kushte me standarte bashkëkohore.

 

Gjatë përurimit të Qendrës për Zhvillim në Shkodër, Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu u shpreh se personat me aftësi ndryshe mund të arrijnë gjithçka por kanë nevojë për arsim, vende pune dhe ndërtesa të aksesueshme.

 

“Kur kam qenë në gjimnaz, u bëra vullnetar i një shkolle të mesme për nxënës me aftësi të kufizuara. Që në moshë të re e kam parë vetë që personat me aftësi të kufizuara mund të arrijnë gjithçka, por për të arritur qëllimet e tyre ata kanë nevojë për arsim, vende pune dhe ndërtesa të aksesueshme. Ushtria e SHBA-së është krenare për partneritetin me Qendrën për Zhvillim në Shkodër, për të mbështetur këtë qendër që të bëhet një ndër më të mirat dhe më modernet në Ballkanin Perëndimor. Jemi krenar që punojmë në një vend që u kushton shumë vëmendje të drejtat dhe mundësive për personat me aftësi të kufizuara”, tha ambasadori Lu.

 

Duke shprehur mirënjohjen për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi  theksoi se bashkëpunimi me këtë ambasadë bëri të mundur transformimin e kësaj qendre në një nga godinat më të mira në Ballkan për personat me aftësi ndryshe.

 

“Puna jonë vazhdon fort në këtë drejtim, ku vitin e kaluar ngritëm 5 Qendrat Komunitare “Për Familjen” nga 1 në çdo lagje të qytetit, dhe 2 në Njësitë Administrative; Gurin e Zi dhe Dajç. Këtë vit po punojmë dhe do të ndërtojmë Qendra të Shërbimit Komunitar në Velipojë, Rrethina dhe Shalë (Theth), duke synuar shtrirjen sa më të gjërë në territorin e Bashkisë së Shkodrës”, tha ajo.

 

Njëkohësisht, sipas Ademit, brenda këtij viti është projektuar dhe do të vihet në funksion Qendra Multifunksionale për komuntetin rom dhe egjiptian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *