Subscribe

Se pari do te doja të dija përshtypjet tuaja për këto muaj të parë si ambasador i Italisë në Tirane?

“Këto muaj të parë kanë fluturuar me gjithë kuptimin e fjalës. Pasi nga njëra anë ky vend më kujton aq shumë jugun e Italisë andej nga unë kam origjinën, sa ndonjëherë harroj që jam jashtë. Pastaj ka shumë ngjarje në të gjitha nivelet, të të gjitha llojeve, si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë private. Për këtë arsye, nuk kam patur as shumë kohë të ndalem e të mendoj për këto gjashtë muaj. Madje kjo intervistë më jep mundësitë ta bëj këtë”.

Sa impenjuese dhe sfiduese është të jesh ambasador ne nje vend mik per Italinë si Shqipëria, me lidhje te forta si politike, ashtu edhe ekonomike? 

“Mendoj se është impenjative pikërisht për arsyet që ju përmendet. Ekziston një shumëllojshmëri aq e madhe në raportet mes dy vendeve saqë ka shumë gjëra për të bërë. Mbi të gjitha, tek shqiptarët me të cilët jam takuar kam gjetur pritshmëri të mëdha për të ndërmarrë sipërmarrje të rëndësishme me Italinë. Kërkohet gjithmonë më e mira, ashtu siç është e drejtë të ndodhë. Dhe kjo bën që gjithçka të kërkojë përkushtim. Por kjo më jep edhe kënaqësi e motivim për t’I bërë punët sa më mirë”.

Cili është opinioni juaj për një pajisje përgjimi të sjellë në Shqipëri nga Interforca italiane?

“Di qe ky argument ka qenë në qendër të vëmendjes se mediave dhe të debatit politik. Duke qenë se ka një hetim që po kryhet nga autoritetet shqiptare, ju e kuptoni se nuk mund të them shumë. Mund të them vetëm se bashkëpunimi ynë me Prokurorinë është i shkëlqyer. Kemi dhënë informacione për të gjitha aspektet e përfshirjes italiane në këtë çështje. Kështu që unë kam besim se brenda një kohe shumë të shkurtër, Prokuroria do të mbyllë hetimet, të paktën përsa i përket palës italiane.”

Reforma në drejtësia është tema kryesore e debatit politik të këtyre muajve në Shqipëri. Por megjithë deklaratat e bëra nga ndërkombëtarët dhe kolegët tuaj ambasadorë këtu në Tiranë për të ecur përpara pa humbur kohë, duket se palët politike janë larg një marrëveshjeje. Ju besoni se kjo reformë do të realizohet përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

“Besoj ende se po. Isha i sigurt që do të realizohej pak muaj më parë, tani më duhet të pranoj se kam nisur të kem disa dyshime. Por duhet të theksoj diçka. Kjo reformë prek Shqipërinë dhe për këtë duhet të bëhet nga forcat politike, institucionet dhe nga qytetarët shqiptarë. Kështu që nuk duhet të ketë dyshime për rolin e komunitetit ndërkombëtar, që është në mbështetje, jep asistencë teknike dhe ky rol nuk mund të perceptohet si një lloj presioni në dinamikën politike shqiptare. Prandaj i mbetet forcave politike shqiptare, që janë përfaqësuese të vullnetit të qytetarëve të dinë përmbajtjen dhe afatet e kësaj reforme. Por ajo që duhet theksuar dhe që duhet ta dinë edhe qytetarët shqiptarë është se nëse kjo reformë është e rëndësishme, atëherë është e rëndësishme edhe që të realizohet shpejt. Pasi sa më shumë kohë kalon, aq më shumë shtyhen zgjidhjet për probleme të mbartura prej shumë vitesh për çështje të caktuara. Për më tepër që përtej rëndësisë kombëtare të kësaj reforme, pasi edhe qytetarët shqiptarë, si ata në të gjithë Botën duan një drejtësi që funksionon , që është e shpejtë dhe e drejtë, ka edhe dy faktorë ndërkombëtare që duhen marrë parasysh. Por e përsëris, janë vetëm faktorë që pastaj i mbetet klasës politike shqiptare ti vlerësojë. I pari, është aktraktiviti i Shqipërisë si një vend për investimet e huaja ose për praninë ekonomike të kompanive të huaja. Besoj se të gjithë studimet tregojnë se një vend ku drejtësia funksionon mirë, është më tërheqës se një vend ku drejtësia është e ngadaltë, e paparashikueshme dhe shpesh jep vendime befasuese. Unë e di sa e rëndësishme është për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë ndërkombëtarizmi dhe në këtë aspekt reforma në drejtësi është e shumëpritur nga investitorët e huaj. Pika e dytë prek rrugën europiane të Shqipërisë. Edhe kjo është një zgjedhje tërësisht shqiptare, por ekzistojnë parametra dhe e dimë që një nga pikat thelbësore që ky proces të përshpejtohet dhe të fillojnë negociatat për hyrjen në BE është reforma në drejtësi. Vetëkuptohet që nëse kjo reformë bëhet tani, ka një shans për hapjen e negociatave që këtë vit. Nëse kjo reformë do të shtyhej pas zgjedhjeve, atëherë ky shans do të mbyllej dhe shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm që procesi i aderimit do të fillojë më vonë. Edhe kjo është një zgjedhje e popullit shqiptar, por duhet të dijë se për çfarë bëhet fjalë”.

Më shumë është një zgjedhje e politikanëve sesa e popullit shqiptar në këtë rast, apo jo?

“Shqipëria është një demokraci parlamentare si ajo italiane. Kështu që Parlamenti është selia sovrane për të shprehur vullnetin e qytetarëve. Duke e thënë këtë, mendoj se si në të gjitha demokracitë shoqëria civile dhe kategoritë profesionale kanë një rol të rëndësishëm. Politikanët shpesh kanë nevojë të dëgjojnë kush është pozicioni i qytetarëve për të kuptuar më mirë sesa ta interpretojnë mandatin parlamentar që kanë marrë. Kështu që sipas mendimit tim modest do të ishte mirë që shoqëria civile, por në veçanti mendoj edhe për sipërmarrësit shqiptarë të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre. Nëse vërtet e duan këtë reformë brenda një kohe të shkurtër, do të ishte e nevojshme ta bënin të ditur”.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një tjetër kusht i vendosur nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave. Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë drejtim?              

“Ne flasim për reformën në drejtësi por në të vërtetë, ashtu siç shumë shqiptarë mendoj se e dinë, janë plot pesë prioritetet që duhet të ndiqen. Mendoj se reforma në drejtësi do t’i ndihmojë nga pak të gjitha këto prioritete për të avancuar. Sigurisht që ekziston një lidhje me ngushtë mes reformës në drejtësi dhe luftës kundër kriminalitetit. Një sistem gjyqësor efikas, i pandikuar nga jashtë, me të gjitha forcat politike të interesuara për ta forcuar atë sa më shumë, është padyshim një instrument shumë i fuqishëm në luftën kundër krimit të organizuar. Kështu që është e vështirë të presësh një ndryshim radikal në luftën kundër krimit, pa realizimin e reformës në drejtësi. Por, kjo nuk është arsye për tu ndalur. Unë mendoj se edhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, në veçanti të Bashkimit Europian, programit Pameca, Shqipëria po modernizon strukturat e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Me Italinë ekziston një bashkëpunim i gjithanshëm në këtë drejtim, edhe për shkak se afrimiteti mes dy vendeve për fat të keq shfaqet edhe në sektorin e krimit të organizuar, ku ka aleanca mes bandave italiane dhe atyre shqiptare. Prandaj ekziston një angazhim shumë i madh në luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar. Do të thoja se unë në këto gjashtë muaj kam parë progres, rezultate te hetimeve shumë të rëndësishme. Por mbi të gjitha kam parë vendosmërinë e forcave të rendit të dy vendeve për të vazhduar bashkëpunimin. Por nuk mund të them se ndeshja është fituar. Krimi është mundur. Kjo është një sfidë e cila vazhdon ditë pas dite dhe për këtë ka ende hapësira për tu përmirësuar”.

Po përsa i përket luftës kundër korrupsionit. A kemi parë shembuj të zyrtarëve të lartë të dënuar?

“Po, edhe këtu kam parë së fundmi disa raste arrestimesh dhe nisje të hetimeve kundrejt zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, nëpunësve civilë. Janë sinjale pozitive, sepse duket qartë që problem ekziston dhe fakti që disa persona të akuzuar për këto shkelje vihen përpara drejtësisë është një shenjë e vullneti për të bërë diçka. Do të thoja që edhe këtu sinjalet janë pozitive, por puna për t’u bërë mbetet e madhe”.

Flasim për krizën e refugjatëve. A rrezikon Shqipëria të kthehet në një vend transit për të vazhduar më pas rrugën drejt Italisë?

“Nëse do më kishit pyetur tre apo katër muaj më parë, do të thoja se rreziku është i madh. Sot, them se rreziku është shumë i ulët. Natyrisht që nuk mund të jemi asnjëherë të sigurt për atë që na rezervon e ardhmja. Por në këto muaj praktikisht është mbyllur e ashtuquajtura rrugë ballkanike që përmes Turqisë e pastaj Greqisë sillte në Ballkan një numër shumë të madh të refugjatëve. Kujtojmë këtu rreth 1 milionë vetëm vitin e kaluar. Me marrëveshjen e nënshkruar mes Turqisë dhe BE-së muajt e fundit, kjo rrugë për momentin rezulton e mbyllur. Kështu që, nëse në muajt e presionit të madh, kur këtë rrugë e përshkonin mijëra njerëz, Shqipëria arriti të qëndronte jashtë, besoj se sot nuk ka rrezik. Duke thënë këtë, duhet të shtoj se flukset e refugjatëve ndryshojnë përherë, kështu që situata duhet monitoruar dhe duhet të jemi gjithmonë gati për të reaguar nëse kjo do të jetë e nevojshme. Edhe në këtë drejtim, Italia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar pikërisht për të parandaluar fenomenin dhe jam i sigurt se do të ketë sërish bashkëpunoj nëse Shqipëria do të goditej nga ndonjë fluks refugjatësh|”.

Këto kohë është folur edhe për një riaktivizim të trafikut të drogës, përmes detit, por edhe me avionëve të vegjël. Cili është qëndrimi juaj?

“Nuk kam informacione direkte. Por nuk besoj se trafiku është ndalur ndonjëherë megjithë përpjekjet nga ana e të dy vendeve. Këtu ka një prani të forcave italiane që bashkëpunojnë shumë mirë me ato shqiptare. Në anën tjetër të kufirit ekziston një aparat i tërë monitorimi, i gatshëm për të ndërhyrë. Por ashtu siç ndodh gjithmonë, krimi arrin të gjejë rrugë dhe mjete të reja për të kaluar sistemin mbrojtës të ngritur nga autoritetet e të dy vendeve. Kemi informacione se trafiku vazhdon. Ka patur shumë operacione muajt e fundit pikërisht për ta goditur atë dhe ka patur suksese të rëndësishme të forcave të rendit. Por nuk mund të përjashtojmë që trafiku vazhdon në forma të ndryshme. E përsëris se nuk kam informacione direkte. Nuk më rezulton që kohët e fundit të ketë patur trafik me avionë të vegjël nga Shqipëria në drejtim të Italisë”.

Italia e ka ndihmuar Shqipërinë në disa drejtime, ndërsa ekziston një lidhje e fortë ekonomike mes dy vendeve. Po çfarë mendojnë investitorët italianë për klimën e biznesit në Shqipëri?

“Edhe ky është një argument që tërheq shumë vëmendje si politike, ashtu edhe të mediave. Unë mund të flas nga këndvështrimi im si ambasador i Italisë në Shqipëri në këto gjashtë muajt e fundit. Shoh shumë kompani italiane që vijnë në Shqipëri për të bërë biznes. Kujtoj se më shumë se gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë në Itali. Kështu që vetëm kjo e dhënë na vërteton se sat ë lidhura janë ekonomitë e dy vendeve. Pasi një vend që dërgon në një tjetër më shumë se gjysmën e eksporteve të tij natyrshëm ka një raport të veçantë me të. Dhe në këto gjashtë muaj, ky proces është përforcuar, pasi për shumë kompani italiane Shqipëria është një partner i rëndësishëm biznesi. Ka shumë kompani italiane që vijnë këtu në  Shqipëri për të prodhuar produkte italiane, për të ofruar shërbime si për kompanitë italiane, ashtu edhe ato shqiptare, por edhe atyre të vendeve të tjera. Kështu që Shqipëria mund të jetë edhe një platformë për t’u hedhur në tregjet e tjera. Është e sigurt që ky vend duhet të ndërmarrë shumë reforma. Disa i ka bërë dhe kjo ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit, por hapësirat për t’u përmirësuar janë ende të rëndësishme. Mendoj se shumë nga prioritetet e identifikuara për procesin e integrimit të Shqipërisë shkojnë në këtë drejtim. Kemi identifikuar reformën në drejtësi, korrupsionit, luftën kundër krimit. Këto fusha janë të rëndësishme edhe për të përmirësuar klimën e biznesit dhe interesin e investitorëve të huaj. Nuk dua të rreshtohem në radhët e alarmistëve që thonë se nuk ka më mundësi investimesh në Shqipëri. E them këtë jo për shkak të eksperiencës time personale, por si pasojë e asaj çfarë dëgjoj përditë nga sipërmarrësit italianë, që vijnë këtu dhe janë të gatshëm të investojnë”.

Po përsa i përket burokracive, taksave të larta, për të cilat ankohen disa nga shoqatat e bizneseve të vendeve të tjera?

“E përsëris. Unë përpara se të vija në Shqipëri kam punuar edhe në vende të tjera dhe sipërmarrësit ankohen gjithmonë për burokracinë, taksat, por pastaj shkojnë përsëri. Kjo do të thotë se nuk ekziston vendi ideal, pa burokracira dhe ku nuk ka taksa. Çdo vend ka vështirësitë e tij. Mendoj se sipërmarrësit që duan vërtet të bëjnë biznesit duhet të zgjedhin kushtet e duhura. Dhe Shqipëria në shumë sektorë I ofron këto kushte më shumë se vendet e tjera. Reformat do të sjellin më pak burokraci dhe nuk mendoj më pak taksa, pasi Shqipëria në përgjithësi i ka taksat më të ulëta se vendet e tjera. Ndoshta është marrëdhënie me administratën tatimore, që jo shpesh është i lehtë dhe mund të sjellë probleme, praktike të gjata. Ditën kur kjo marrëdhënie të jetë më efikase, do të ketë edhe më shumë biznese që vijnë këtu në Shqipëri”.

Italia po jep kontributin e saj për ta ndihmuar Shqipërinë në disa drejtime.

“Italia prej 25 vitesh bashkëpunon me Shqipërinë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Vetë fakti që e bëjmë këtë tregon se besojmë te ky vend dhe potencialet e tij. Edhe përmes Bashkimit Europian ekzistojnë disa programe binjakëzimi, ku i jepet asistencë administratës publike. Italia është e pranishme në dogana, në administratën publike. Nuk mendoj se ka një sektor ku ne nuk kemi bashkëpunim. Kam besim se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dje mbeta i befasuar nga investimi në rrjetin e OST. Më thanë se është më moderne se ajo që kemi ne në Itali. Nuk jam i sigurt, pasi nuk e kam bërë një krahasim të tillë. Por me siguri është një qendër me teknologjinë më të avancuar. Ka sinjale shumë të rëndësishëm të progresit në sektorin ku ne bashkëpunojmë dhe mendoj se kjo do të zgjerohet edhe më tej, duke dhënë rezultate në gjithë ekonominë shqiptare.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *