Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se Uashingtoni pret që gjatë vitit 2024, Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe sipas tij, dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Hovenier tha se nga Marrëveshja drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti, përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.

“Më 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje”, tha Hovenier.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë, ndërkaq në mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ende nuk ka nisur.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *