Subscribe

Pak orë para mbërritjes në Tiranë të Zv/Presidentit të PPE-së, njëherësh drejtues i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister, kjo e martë ka qenë e ngjeshur me takime.

 

Trojka e ambasadorëve, në orën 11.00 ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për t’u takuar me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

 

Në takimin mes kryeparlamentarit dhe ambasadorit amerikan Donal Lu, ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin dhe shefin e OSBE-së Bern Bochardt, është diskutuar mbi angazhimin për kapërcimin e krizës politike.

 

Më 45 minuta, Trojka dhe kreu i Kuvendit kanë diskutuar mbi disa pika që lidhen me ndryshimet në ligjin zgjedhor, të cilat nëse arrihet marrëveshja politike pas takimeve të negociatorit Mc Allister, do të bëhen pjesë e konkretizimit të marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës.

 

Pas këtij takimi, rreth orës 13.00, kryeparlamentari Meta ka pritur në zyrën e tij kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit që zgjati për rreth 30 minuta, mësohet se është biseduar mbi qëndrimin që do të mbajnë në takimin me negociatorin Mc Allister.

 

Zyrtari i lartë europian McAllister, së bashku me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckestein, gjatë takimeve me krerët e partive kryesor politike do të përpiqen të pajtojnë palët për kapërcimin e krizës politike. Negociatorët mësohet se do të takohen në orën 15.00 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta.

 

Ndërkohë që një orë më pas, do t’i drejtohen selisë së PD-së për t’u takuar me kreun demokrat Lulzim Basha. McAllister dhe Flackenstien, mësohet se kanë përgatitur një platformë, e cila do tu dorëzohet krerëve politikë, me qëllim arritjen e marrëveshjes politike.

 

Përpjekjet e faktorit ndërkombëtar kanë qenë te vazhdueshme për kthimin e klimës pozitive politike në Shqipëri. Një ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu është takuar për rreth 60 minuta me kreun e opozitës Lulzim Basha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *