E premte, 2 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Altin Dumani zbardh hartën e krimit në Shqipëri: Atentate, vrasje me pagesë dhe drogë

Kreu i SPAK, Altin Dumani po prezanton sot në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të SPAK gjatë vitit 2023.

Teksa renditi arritjet e SPAK dhe punët që janë bërë gjatë vitit 2023, Dumani analizoi veprimtarinë e grupeve kriminale në Shqipëri.

Reklamë

Dumani tha se blerja e apartamenteve është forma kryesore e pastrimit të parave në Shqipëri. Kreu i SPAK tha se në pastrimin e parave të përfituara nga krimi janë përshirë edhe bankat.

Më tej ai tha se tregjet kryesore kriminale në Shqipëri operojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër,Fier, Elbasan, Kurbi, Fushë Krujë dhe Shkodër.

Dumani tha se shumica e vrasjeve dhe tentativave për vrasje kanë ndodhur në qytete si Durrësi, Fushë Kruja, Shkodra, Fieri, Vlora dhe Elbasani. Sipas Dumanit në Fushë Krujë bëhet tregti armësh dhe lëndësh shpërthyese që përdoren për ngjarje kriminale.

“Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale. Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë.

Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. 

Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësues të mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, u shpreh Altin Dumani./vizionplus.tv/

Më shumë video

Reklamë