Subscribe

Gjykata e Shkallës së Parë Antikorrupsion pranoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit socialist, Alqi Bllako.

 

Pas lënies së mandatit nga ana e Bllakos, prokuroria i drejtoi një shkresë gjykatës, ku kërkoi aprovimin e vendimit për ndalimin e ligjvënësit socialist për aferën korruptive të inceneratorit të Fierit.

 

Kërkesa, pasi u shqyrtua nga ana e togave të zeza të cilat u njohën me provat e paraqitura nga hetuesit, u miratua. Tashmë pritet ekzekutimi i vendimit për prangosjen e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i cili ndodhet në banesë.

 

Alqi Bllako akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim” dhe “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore”. Kërkesa për arrestimin e tij, erdhi menjëherë pasi kuvendi njoftoi lënien e imunitetit.

 

Nga hetimet për inceneratorin e Fierit u zbulua se Alqi Bllako në bashkëpunim me Pëllumb Abeshin, që mbante detyrën e kryetarit të Komisionit të Shpronësimit dhe me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, falsifikuan dokumentet për shpronësimin e pronës ku do të ngrihej impianti i trajtimit të mbetjeve.

 

Nga “tokë arë” ata ia paraqitën kategorinë e pronës këshillit të ministrave si “tokë truall”, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 16.2 milionë lekë.

 

SPAK vëren më tej se Bllako, për shkak të funksioneve që kishte në Ministrinë e Mjedisit dhe më pas si drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve favorizoi shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, kundrejt ryshfetit.

 

Deputeti socialist përmes kësaj ndërhyrjeje mori në mënyrë të tërthortë mbi 14,9 milionë lekë. Shumë kjo që u investua nga babai i tij për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 99 m2 në Tiranë, për të cilin është vendosur “sekuestro preventive”.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *