Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka kërkuar një seri arrestimesh në lidhje me shkeljet që janë kryer nga zyrtarë të lartë për inceneratorët e Fierit dhe atë të Elbasanit.

 

Në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, ajo kërkon dhe i bën thirrje SPAK që të hetojë në nivelet më të larta të qeverisjes.

 

“Nuk besoj që është ditë për trumfalizëm. Unë nuk jam asnjëherë e kënaqur kur një koleg deputet është i përfshirë në këtë akuzë. Unë kam kërkuar që në krye të herës që të mos ndalojmë në këto nivele, por të kemi guxim dhe të ecim në nivele politike. Unë gjykoj që edhe në çështjen e aferës së inceneratorit të Fierit ka akoma persona të tjerë politikë, por edhe me funksione politike që duhet të ishin arrestuar dhe ndaluar.”

 

Sa i pëket qëndrimit të shumicës socialiste se nuk do ta pengojë Prokurorinë Antikorrupsion në kërkesën për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, deputetja u shpreh se edhe kësaj radhe, PS “dorëzoi një tjetër kokë turku”.

 

“Në fakt, PS i ka dalë në mbrojtje politike kësaj afere. E mbrojtën për tre muaj me radhë në komisionin hetimor, gjatë dëshmive, dhe sot thjesht kanë dorëzuar një tjetër kokë turku, duke shpresuar që mos t’iu vijë radha ministrave të tyre. Siç duket, Alqi Bllako nuk ishte aq shumë i rëndësishëm për to. PS provën e saj të vërtetë duhet ta ketë me zyrtarët e saj, kryetarët e saj të bashkive, ministrave, duke shpresuar që do të ketë arrestime të tjera, e nuk do të ndalemi këtu.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *