I penduari i drejtësisë, si dhe një nga personat kyç në zbërthimin e bandave të Elbasanit, Erion Alibej, ka rrëfyer këtë të martë detaje të tjera për vrasjen e Emiljano Ramazanit si dhe të Regis Runajt.
Përpara trupës gjykuese, Alibej tha se Ramazani ishte i afërt me Talo Çelën dhe Mikael Qosjen.
Ai shtoi se pas ekzekutimit të tij, u këshillua me Nuredin Dumanin për vrasjen tjetër të planifikuar, atë të Regis Runajt.
“Emiljano Ramazani ka qenë njeri shumë i afërt i Talo Çelës dhe Mikael Qoses. Ka qenë njeri aktiv dhe unë kisha informacione pafund për Emiljano Ramazanin. Kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën që të shkonte ta ruante te palestra, se rrinte shumë kohë në palestër. Emiljano Ramazani ka qenë gjithë kohën në vëzhgim deri kur u bë ekzekutimi.
Për ekzekutimin e Regis Runaj, vendimin e kam diskutuar me Nuredinin. I dërgova dhe një mesazh Xhuljan Hoxhës, sepse ai më është vetëofruar për ekzekutimin e Regisit. Urdhrin për ekzekutimin e Regis Runaj e dhashë unë, duke marrë dhe mendimin e Nuredin Dumanit.”
Në këtë rrëfim ka ndërhyrë edhe Xhuljan Hoxha, duke e pyetur Alibejn nëse ka qenë Nuredin Dumani që ka dhënë urdhrin për vrasjen. Ai ka shpjeguar se vrasjen e kërkoi që të bëhej me thikë, në mënyrë që të mos krijohej zhurmë e madhe.
“Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit komunikova me Nuredinin. Xhuljan Hoxha do të kryente vrasjen e Regis Runaj. Kur morëm OK për ekzekutimin e Regis Runaj, i thashë: ‘Mundohu ta bësh me thikë, mos të bëhej zhurmë.’ Dhe kështu veproi. Nuk e kam ndihmuar Xhuljan Hoxhën me sende për të kryer vrasjen, ai u dakordësua direkt. Xhuljan Hoxhën e takova dy ditë pas vrasjes, sepse ai atë natë iku me familjen në plazh.”
Në seancën e javës së kaluar, Erion Alibej u përplas me Nuredin Dumanin për masakrën e Bradasheshit, deri në momentin që gjykata vendosi që të largonte nga salla Dumanin.
/vizionplus.tv





