E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 01:35 Në vijim ora 01:35: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Alibeaj: KPK është vegël në duart e pushtetit

Partia Demokratike i ka bërë sërisht apel Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me çështjen e vendimit për Donika Prelën.

 

Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj I kërkoi KPK që të verifikojë kamerat e sigurisë gjatë periudhës nëntor-dhjetor për të verifikuar nëse Prela është takuar apo jo me anëtaren e vettingut Valbona Sanxhaktarin.

 

Reklamë

Sipas Alibeajt, rasti i drejtueses së Krimeve të Rënda po konfirmon se KPK është një vegël në duart e pushtetit.

 

“Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar. Në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat. Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni I Pavarur I Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur inetresi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor.”

 

Alibeaj u kërkoi gjithashtu organeve të vettingut që t’i japin përgjigje pyetjes nëse është Donika Prela pjesë e dosjes 339 apo jo.

 

“Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi! Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Vazhdo të lexosh

Reklamë