Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka analizuar punën e bërë nga Altin Dumani në krye të SPAK.
Alibeaj tha se Dumani ka ngritur shumë lart stekën dhe ai që do ta pasojë do të duhet të punojë po aq mirë, ose edhe më mirë, nëse nuk do të prishë imazhin e vet personal apo atë të institucionit.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Duhet të rikandidonte Dumani?
Alibeaj: Unë nuk jam me idenë e personalizimit të pushtetit. Ajo që ka bërë Dumani nuk e ka bërë asnjë prokuror më parë, dhe nuk ka për ta bërë ndonjë nga ata që do vijnë. Ishte i pari që u përplas direkt me ish-kryeministër, zv.kryeministër, ish-presidentë, kryetarë parlamenti. Nuk ka qenë e gjitha meritë e tij, por mburojë për të gjithë punën e prokurorëve ka qenë ky. Dumani i ka ngrënë të gjitha sulmet: nga grupet e strukturuara kriminale e deri te kërcënimi i kryeministrit “mos guxo të marrësh telefonin tim”, apo kërcënimet e grupeve kriminale që janë më të këqija. Fatkeqësisht, para 1 jave ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte në sallën e gjyqit. Megjithatë, institucionin nuk e bën një individ vetëm, institucioni do të duhet të bëjë që 18-të të tjerët të jenë të aftë ta kryejnë atë detyrë. Pse e kam këtë garanci? Sepse steka që ka vendosur Dumani përballë Berishës, Ramës, Metës, Ahmetajt…
Borakaj: Rama është konsideruar vijë e kuqe?
Sefa: Çfarë presim, ta marrë kryeministrin nga karrigia?
Alibeaj: Nuk duhet të presim që në të njëjtën ditë t’i marrim të gjithë.
Borakaj: Po në të njëjtën datë të viteve të ndryshme?
Alibeaj: Nëse do ecim me këtë logjikë, SPAK veç po e fusim në lojë politike. Ajo që duhet të bëjë SPAK është që sa herë të vijë një procedim, duhet hetuar. Në dijeninë time, për inceneratorët vijojnë hetimet, McGonigal, ECO Park vijojnë hetimet. Do ishte e udhës që edhe tjetri që do të vijë, nëse do të bëjë gabimin që të ketë një performancë më të ulët se Dumani, do të marrë në qafë veten dhe institucionin. Dumani ka lënë një stekë të lartë, të vështirë.





