Alfreda Peza shprehet se me shpalljen non grata të Sali Berishës, për Shqipërinë nisi një epokë të re.

 

Shqiptarët, shton Peza, e ndëshkuan disa herë me votë ish-kryeministrin, por nuk “donte që ta dëgjonte këmbanën e sovranit”.

 

Sipas tij, deklarata e bërë publike nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sinjalizoi jo vetëm fundin e së vjetrës, por edhe hapjen e dyerve për fillimin e një epoke të re në jetën e vendit.

 

Shkrimi i plotë:

Historinë e ndryshojnë zhvillimet e mëdha që nuk varen ndonjëherë as nga popujt, por ardhjen e një epoke të re, e sinjalizon ndonjëherë edhe xhesti i një njeriu të vetëm. I tillë është edhe postimi në tëitter i sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, që shpalli publikisht Sali Berishën, si të përfshirë në korrupsion të shkallës së lartë duke përcaktuar edhe familjarët e tij si individë që pas kësaj, nuk kanë të drejtë që të udhëtojnë në SHBA.

Atë që nuk e bëri dot vetë Sali Berisha, që të largohej nga skena aktive politike, pas humbjes epike në zgjedhjet e 2013; atë që nuk e bëri dot pasardhësi i tij Lulzim Basha, që të vriste “babain e tij politik”, për ti dhënë të djathtës shqiptare një lidership me vizion të ri duke sjellë edhe fundin e tranzicionit politik postkomunist në Shqipëri; atë që nuk e bëri dot PD, që të ndahej nga ai që iu djepi, e që sot është shndërruar në simbolin e varrit të vet politik,- e bëri një zyrtar i lartë i SHBA.

Sali Berisha nuk e përfundoi ciklin politik siç bëri më parë Fatos Nano, për tiu rikthyer jetës private, sepse nuk ishte i lirë që të largohej nga skena. Shqiptarët e ndëshkuan disa herë me votë, duke ia dhënë edhe mësimin e fundit më 25 prill, por Sali Berisha përsëri nuk donte që ta dëgjonte këmbanën e sovranit. Drejtësia e vjetër dhe e kalbur që u shemb me ndihmën e vyer të SHBA e BE, nuk mund ta largonin dot Sali Berishën, sepse ishin imunizuar prej tij me kulturën e pandëshkueshmërisë. Këtë e bëri, vetëm tëitteri i një anëtari të administratës Biden.

Nga sot, pas 30 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, fillon një epokë e re për shqiptarët. Fillon epoka post Sali Berisha. Për të gjithë ata që interesohen për çështje historiko- shoqërore në këtë vend, duhet ta mbajnë shënim ditën e sotme: 19 majin e vitit 2021. Një postim i Antony Blinken sinjalizon ardhjen e një epoke të re në jetën e vendit ballkanik. Është fundi i berishizmit, si një praktikë makiaveliste e mbajtjes së pushtetit me çdo mjet e çmim, përmes pengmarrjes së partisë e drejtësisë, për ti mohuar Shqipërisë realizimin e ëndrrës së vet europiane.

Historia e shtetit të ri shqiptar që nga 1912 e deri më sot, ka kaluar nëpër tri epoka që simbolizohen nga liderët që i kanë qeverisur ato: Zogizmi, Enverizmi dhe Berishizmi. Për fatin tonë të mirë, nga atje ku na ardhi shpëtimi si komb, nga atje ku na ka ardhur edhe shpëtimi si shtet, ka ardhur edhe sinjali i parë i shpresës drejt një të ardhmeje të re.

Herën e parë, sinjali për ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë, u dha natën e vitit të ri 1925 në Ambasadën e SHBA në Tiranë, kur një grua muslimane vallëzoi për herë të parë në publik. “Kjo meriton vëmendjen e të gjithë atyre, që interesohen për çështje historiko-kulturore. Shkundja e atyre gjymtyrëve, sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…”, i shkruante më 3 janar 1926, Ambasadori gjerman në Tiranë Kardoff, ministrisë së tij të punëve të jashtme.

Në 12 dhjetorin e vitit 1985, vetëm 8 muaj pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, 6 pjesëtarë të familjes Popa u futën në Ambasadën italiane në Tiranë, atje ku prej 30 vjetësh ndodhet tashmë, ambasada e SHBA. Ishte sinjali i parë për atë që ndodhi më pas: Dyndja biblike të shqiptarëve drejt ambasadave të huaja, kufijve tokësorë dhe atyre detarë, për tu arratisur drejt perëndimit e për të përshpejtuar rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.

Ndërsa sot, deklarata e bërë publike nga Departamenti Amerikan i Shtetit, sinjalizuan jo vetëm fundin e së vjetrës, por edhe hapjen e dyerve për fillimin e një epoke të re në jetën e vendit. Një epoke që ka si garante SHBA e BE dhe sistemin e ri të drejtësisë së ngritur me mbështetjen e tyre të pakursyer. Siç tha edhe ish Kryetari i PD Eduard Selami, ky akt shënon “fillimin e fundit të korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.”

E sotmja shënoi fundin politik të Sali Berishës. Fundin e 30 viteve të dominimit të skenës politike shqiptare prej tij. Fundin e lidershipit të tij “de facto” mbi të djathtën shqiptare. Fundin e udhëheqjes reale prej tij të opozitës. Por jo fundin e dominimit të PD prej tij. Ajo që pritet të ndodhë pas kësaj me Sali Berishën individualisht, është një film i parë tashmë dhe është vetëm çështje kohe, kur ai të shfaqet publikisht për të gjithë.

Lulzim Basha e ka vetë në dorë, rolin e tij në këtë histori. Nëse ai nuk do të arrijë që të ndahet nga Sali Berisha edhe pas kësaj, faji nuk do të jetë as i SHBA e as i shqiptarëve. Sa për Ilir Metën, ai e ka marë me kohë mesazhin, ndaj është vetmi që ka heshtur sot!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *