Aleatët më të mëdhenj të SHBA-ve mbështesin bombardimet e SHBA-ve ndaj bazave ushtarake siriane dhe ruse.

 

Sipas tyre misioni i bombardimeve ka rezultuar i suksesshëm për degradimin e aftësisë së regjimit sirian për të përdorur armët kimike në të ardhmen.

 

Kryeministrja britanike Theresa May, në një konferencë për shtyp mbi sulmet ajrore në Siri tha asnjë grup tjetër përveç qeverisë siriane nuk mund ta ketë kryer sulmin e dyshuar kimik në Douma javën e kaluar, duke theksuar se është e drejtë dhe ligjore ndërmarrja e një veprimi kundër regjimit.

 

“E mora këtë vendim sepse besoj se është gjëja e drejtë. Mesazhi është se përdorimi i armëve kimike është ilegal. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrinte duarkryq. Kemi parë agjentë nervorë që u përdorën dhe këtu në Angli. Kemi parë sulm të armëve kimike”.

 

Edhe kancelaria gjermane Angela Merkel, ka reaguar duke thënë se mbështet sulmet ajrore të aleatëve perëndimorë në Siri.

 

Ajo i ka konsideruar bombardimet të nevojshme dhe të përshtatshme për të paralajmëruar presidentin Assad kundër përdorimit të mëtejshëm të armëve kimike.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, në një deklaratë për mediat, e dënon sulmin dhe i quan bombardimet kundër Sirisë si një akt agresioni.

 

Ai tha se do të kërkojë një takim urgjent të këshillit të sigurimit të OKB-së, mbi veprimet agresive të SHBA dhe aleatëve të saj.

 

Shefi i Kremlinit i cilësoi bombardimet si veprime që shkelin kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.  Putin theksoi se ushtarakët rusë po ndihmojnë qeverinë legjitime në luftën e saj me terrorizmin. Rusia paralajmëron se SHBA-të do të përballen me pasoja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *