Albin Kurti voton në Prishtinë! U bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhjet lokale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar këtë të diel në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe asamble komunale.
Pas votimit, Kurti u deklarua shkurt para mediave, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ardhmen e komunave.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Po vendosim për katër vitet e ardhshme në komunat tona – për çerdhet, shkollat, ujin dhe shërbimet në lagje e fshatra,” tha ai.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, por të marrin pjesë në procesin zgjedhor si një formë e përfshirjes direkte në vendimmarrje.
“Përveç se jemi qytetarë, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj i ftoj të gjithë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, për të qenë pjesë e zgjidhjes së problemeve të tyre dhe për të realizuar të drejtat që u takojnë,” shtoi ai.
/vizionplus.tv




