Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të enjten, më 22 qershor, do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.

Më herët gjatë 21 qershorit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se pret që Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim.

Burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë kanë përmendur mundësinë që Kurti dhe Vuçiq të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.

Më herët, Vuçiq, ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin në Bruksel. Megjithatë, ai ka deklaruar se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor./R./E.L

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *