Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka raportuar edhe 24 viktima më shumë nga koronavirusi, ndërsa numri i të infektuarve të rinj vjen në rritje. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vendi po përballet me një situatë shumë të rënduar dhe përsëriti thirrjet për vaksinim.

 

“Këto tre javët e fundit kanë qenë më të rëndat që kemi përjetuar deri më tani, ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur të afërmit. Ju bëj thirrje të gjithëve që të vaksinoheni, pasi kjo është rruga më e mirë që kemi deri më tani. ”

 

Vetëm rreth 19 % e popullsisë së rritur është imunizuar plotësisht ndërsa regjimi i masave kufizuese do të vazhdojë edhe pas 13 shtatorit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk ka përjashtuar injektimin e dozës së tretë për grupet më të rrezikuara.

 

“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë, sipas rekomandimeve të fundit që na ka ardhur nga IKSHPK, kurdo që shihet e domosdoshme. Sidomos kjo vlen për grupet e ndjeshme të popullatës.”

 

Sistemi shëndetësor po përballet me mungesë kapacitetesh, ndërsa varianti “DELTA” rezulton të ketë infektuar në masë edhe grupmoshat e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *