Subscribe

Kryeministri i Kosovës mbetet i vendosur në premtimin e tij për zëvendësimin e tarifave 100% ndaj mallrave serbe me masën e reciprocitetit edhe pse presidenti Alexandër Vucic ka deklaruar se nuk do ta pranojë atë.

Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, Kurti i ka bërë të qartë kreut të shtetit serb se Kosova e gëzon prej 12 vitesh pavarësinë dhe reciprociteti është i nevojshëm për të balancuar marrdhëniet.

 

ALBIN KURTI

 

KRYEMINISTER I KOSOVES

 

“Kosova e konsideron veten e saj shtet. Ne e kemi shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Për pak ditë do të shënojmë 12-vjetorin e pavarësisë sonë dhe Kosovën e konsiderojnë të pavarur rreth 110 shtete anembanë globit, përfshirë këtu shumicën dërmuese edhe të vendeve të Bashkimit Evropian, edhe NATO-s, përkatësisht vetëm 5 shtete nga Bashkimi Evropian dhe vetëm katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën. E kemi përsëritur dhe theksuar qëndrimin tonë, se tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë ne do ta zëvendësojmë me parimin e reciprocitetit. Pra, nuk është se do ta heqim tarifën dhe nuk do ta vëmë reciprocitetin, por do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën.”

 

Albin Kurti ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të mblidhet kabineti qeveritar për të diskutuar më konkretisht mbi vendosjen e masës së reciprocitetit duke sqaruar se ajo do të zbatohet në aspektin ekonomik, atë tregtar dhe politik.

 

“Reciprociteti, të cilin ne e duam është reciprocitet, i cili shprehet në aspektin ekonomik e tregtar dhe politik, ashtu siç është shkruar në Rezolutën e 7 dhjetorit të vitit 2011 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për neve është e papranueshme që të mos kemi simetri në raportet tona edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, pastaj të automjeteve, të certifikatave të ndryshme, e deri te fakti që shoferët e mauneve me mallrat e Kosovës, për shkak se nuk u njihet leja e vozitjes së Republikës sonë, dënohen me qindra euro nëpër rrugët e Serbisë. Pra, nuk është se ne duam të hakmerremi me reciprocitet, por konsiderojmë që ky është një parim i shëndoshë për marrëdhënie konstruktive, bilaterale e të fqinjësisë së mirë.”

 

Kryeministri I ri i Kosovës ka nënvizuar se dialogu nuk ka ndaluar dhe do të vazhdojë duke u mbështetur në aprimet kushtetuese.

Do të jetë vetë Kurti ai që do të udhëheqë ekipin negociator ndërsa presidenti Thaci nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt në bisedime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *