Alarmi për lodrat e rrezikshme në Shqipëri, flasin specialistët

Prindërit për të plotësuar çdo dëshirë të fëmijëve të tyre blejnë lodra të dëmshme pa u informuar për rreziqet që paraqesin. Mungesa e një laboratori për analizimin e përmbajtjes së lëndëve kimike tek lodrat bën që për momentin të mos jenë të kontrolluara. Lodrat më të rrezikshme konsiderohen ato plastike, pasi përmbajnë lëndë kimike si kalcium, zink, arsenik, krom, plumb etj.
Është një listë e gjatë përbërësish që mund të shkaktojnë ç’rregullime të organizmit. Shkalla e informimit për rrezikshmërinë e tyre mbetet shumë e ulët dhe shumë pak janë në dijeni për rreziqet që mbartin këto lodra. Shumë prej këtyre lodrave i shikojmë nëpër tregje, por edhe nëpër dyqane me një përmbajtje të lartë të kimikateve, por ajo ç’ka vihet re është se përmbajtja nuk është në shqip dhe prindërit e kanë të vështirë të informohen për atë ç’ka blejnë.
Është për të ardhur keq që një pjesë e konsiderueshme e tyre që edhe pse i shikon me lodra të dëmshme nëpër duar nuk flasin para kamerës dhe qëndrojnë indiferentë ndaj kësaj problematike që lidhet drejtpërdrejt me fëmijët e tyre. Dyqanet duket se janë vendi i besuar për shumë prindër, por kamera e Vizion Plus fokusoi të kundërtën nëpër tregje, ku të nisur nga çmimet e ulëta i shikojnë si zgjidhje për të plotësuar dëshirat e fëmijëve të tyre. Pronarët e dyqaneve bëjnë me dije se kukullat dhe makinat si dhe plastiket janë më të preferuarat për fëmijët, për të cilët specialistët japin më shumë alarmin, pasi kanë përmbajtje të lartë kimike.
Markimi i sigurisë CE është elementi që duhet të shikojnë prindërit kur blejnë një lodër, por shitësit shpesh përfitojnë, pasi nëse këto iniciale janë të bashkuara, atëherë nuk janë të certifikuara nga Bashkimi Europian. Pothuajse në të gjitha lodrat janë inicialet CE, por të ndara dhe kjo tregon rrezikun e lartë që paraqesin për fëmijët. Aleksandër Davidi, kimist në Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial, se problemi i lodrave me kimikate nuk lidhet vetëm me lodrat kineze, por në të gjithë botën. Sipas tij, çdo javë në botë ndalohen lodra që konsiderohen të rrezikshme, si kukulla që kanë kimikate të dëmshme dhe normat lejuara janë zero.
“Në vendin tonë janë të gjitha, kemi lodra cilësore, pak cilësore dhe skandaloze. Këto vitet e fundit po punohet në këtë drejtim, qoftë nga ana e legjislacionit por edhe nga kontrollet e tregut”, është shprehur Davidi.
Lindita Tafaj, shefe sektori tek ISHP e ka vënë theksin tek mbrojtja e konsumatorit nëpërmjet dy mekanizmave, roli i kontrollues i shtetit, por edhe ndërgjegjësimi.
“Tashmë legjislacioni ia krijon mundësinë gjithkujt të ketë informacion të detajuar për produktin që blen, të pyesë në instancat përkatëse. Për kimikatet shitësi është i detyruar të japë informacion brenda 40 ditëve blerësve”, është shprehur Tafaj.




