Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shprehet se e ardhmja nuk e sigurtë, e për këtë arsye kërkon krijimin e rezervave strategjike për ushqime ndaj të cilëve jemi importues neto.
Panariti bën thirrje që fillimisht të blihet prodhimi vendas dhe më pas të inkurajohen importuesit.
“Covid na paralajmëron të krijojmë që tani rezerva strategjike për ushqime ndaj të cilave jemi importues neto.Sepse e ardhmja ështe e paqartë dhe asgjë nuk ështe e sigurt. Sëpari të blihet prodhimi vendas aq sa ka. Më pas të inkurajohen që tani importuesit, madje edhe me stimuj fiskalë për të mbushur silloset me drithë dhe miell, oriz dhe magazinat me vaj ushqimor etj.”
Sipas tij, me anë të kësaj metode do të arrihet të garantohet furnizimi i konsumatorëve dhe të kontrollohen çmimet.
“Në këtë mënyrë mund të zbutim sadopak efektet e një paralize të tregtisë ndërkombëtare në një cikël të dytë agresiv të mundshëm të covid, këtë dimër. Kështu do të përpiqemi të garantojmë furnizim të konsumatorëve dhe kontroll aq sa mundim të çmimeve në rastin ekstrem të paralizës së tregtisë ndërkombëtare nga riciklimi i mundshëm i koronavirusit në vjeshtë. Njerëzimi gjithnjë ka vuajtur nga mungesa e parashikimit, madje edhe atëhere kur binin këmbanat.”