Subscribe

Një sasi eksplozivi e telekomanduar iu vendos automjetit te një biznesmeni hidrokarburesh, por që fatmirësisht nuk shpërtheu. Pako e mbështjellë me natriban dhe e lidhur me një celular u gjet në garazhin e një qendre tregtare ne rrugën Medar Shtylla. E gjithë zona u evakuua, ku pas gati një ore forcat xheniere bënë të mundur çaktivizimin e bombës me shpërthim të kontrolluar. Nga të dhënat e policisë mendohet se eksplozivi ishte vendosur në automjetin tip benz te biznesmenit Nuredin Suli. Ekspertët thanë se bomba e telekomanduar ishte vendosur në pjesën e poshtme të shasisë, por kur biznesmeni ka hipur në automjet ajo është shkëputur. Sipas policisë ky nuk është rasti i parë që Sulit i bëhet atentat për arsye hasmërie. Një vit më parë 53 vjecari i shpëtoi plumbave në Patos të Fierit. Nuredin Suli me precedentë të mëparshëm kriminalë është vëllai i Neim Sulit biznesmenit të karburanteve, i cili u vra në vitin 2012 fare pranë banesës së tij në Fier. Në atë kohë policia arrestoi  Gëzim Sulo 49 vjeç, si dhe dy djemtë e tij Ervis dhe Endri Sulo 22 dhe 20 vjeç. Ata e qëlluan 47 vjecarin pas debateve  për zhurmën e servisit të automjeteve  që familja Sulo kishin ngjitur me shtëpinë e biznesmenit. Pas ngjarjes së nëntorit në vitin 2012 dhe arrestimit të përgjegjësve në maj të një viti më pas djalit tjetër të familjes, Sulejman Sulit, iu vendos tritol në automjet, teksa ishte duke udhëtuar me të shoqen. Fatmirësisht nga shpërthimi ata mbetën të plagosur. Ndërkohë më 25 tetor të vitit 2013 u plagos Namik Suli vëllai i Nuredin dhe Neim Sulit. Persona të paidentifikuar u afruan në pikën e karburantit në pronësi të Namik Sulit dhe qëlluan me breshëri në drejtim të lokalit. Plumbat plagosen lehte atë dhe një klient të lokalit. Për këtë arsye policia ka ngritur pistën e hakmarrjes ndërkohë që nuk përjashtohet dhe ndonjë konflikt tjetër i biznesmenit.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *