Subscribe

Diskutimi për rrezikun e ndikimit rus në rajonin tonë është gjithnjë e më i fortë, dhe ky alarm vlen edhe për Shqipërinë pavarësisht orientimit të fortë pro amerikan dhe pro Brukselit.

 

Prec Zogaj i cili ka drejtuar komisionin e jashtëm ve ne dukje se Uashingtoni dhe Brukseli kanë njohur disa fitore në rastin e Maqedonisë së Veriut me marrëveshjen që njohu si gjuhë zyrtare shqipen dhe kompromisin mes Shkupit e Athinës për emrin e Maqedonisë së Veriut.

 

Por Zogaj paralajmëron se asnjë vend nuk është i imunizuar ndaj ndikimit rus përfshi edhe Tiranën.

 

 Sigurisht që në Shqipëri është më e vështirë, edhe në Kosovë edhe për shkak të përcaktimit në shumicë totale të qytetarëve shqiptarë në orientimin euro-atlantik por as nuk mund të përjashtohet që Shqipëria është pjesë e kësaj politike që ka Rusia për të ruajtur influencën e vet

 

Ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu ve theksin rreziku që Rusia mbart për interesin kombëtar të shqiptarëve duke nisur nga dialogu Kosovë-Serbi e deri tek zhvillimet në Tiranë.

 

 Duket që Shqipëria është më e amortizuar se vendet e tjera por kjo nuk do te thotë se është e imunizuar nga këto influenca të cilat mund të vijnë në mënyra nga më të ndryshmet. Prandaj është e rëndësishme që ne të kemi një shtet serioz funksional, demokratik, brenda standardeve të NATO dhe si vend anëtar i NATO duhet të shikojmë sidomos investimet që bëhen në sektorët e sigurisë.

 

Ndërsa ish-ministri i jashtëm Paskal Milo beson se orientimi pro amerikan e pro BE i Shqipërisë është konfirmuar gjithmonë.

 

“Nuk besoj që klasa politike shqiptare të heqë dorë nga qëndrime të tilla tejet të qarta që ka patur dhe nuk ka arsye që ta bëjë një gjë të tillë. Lufta e brendshme politike nuk besoj se do të mund të çojë një forcë politike shqiptare që të thyejë atë solidaritet kombëtar që kanë shqiptarët përkundrejt NATO dhe BE. Unë nuk e imagjinoj dot dhe as nuk mendoj se mund të përdoret karta ruse në betejat e brendshme politike shqiptare. “

 

Një ditë më parë komandanti i forcave të SHBA-së në Evropë Curtis M. Scaparrotti, gjatë një dëshmie para komitetit për Forca të Armatosura të Senatit amerikan theksoi se Rusia po ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *