Subscribe

 

Stuhia që solli uragani Harvey nuk ka shkaktuar vetëm viktima dhe vërshime.

 

6 ditë pas uraganit, dy shpërthime janë dëgjuar në një uzinë kimike pranë Hjustonit. Kompleksi Arkema humbi aftësinë e ftohjes së elementëve kimikë që duhet të mbahen në temperatura të ulëta. Mediat raportojnë se sherifi i qytetit është dërguar në spital, së bashku me 9 persona të tjerë.

 

Shpërthime të tjera pritet të ndodhin në orët në vijim dhe më e rrezikshmja është se nuk ka asnjë mundësi për të shuar zjarrin. Autoritetet i bëjnë thirrje njerëzve që të qëndrojnë larg uzinës. Në këtë uzinë prodhohet peroksid organik dhe kimikatet mund të bëhen të rrezikshme në kushte nxehtësie.

 

Ndërkohë shirat e dendur kanë pushuar, por Hjuston, Teksas dhe Luziana vazhdojnë të jenë në gjendje të jashtëzakonshme.

 

Të paktën 37 persona kanë humbur jetën deri më tani si pasojë e uraganit Harvey, ndërsa dhjetëra të tjerë raportohen të humbur.

 

Viktima e fundit ishte një efektiv policie, 60-vjeç, i cili u mbyt kur makina e tij u rrëmbye nga vërshimi i ujërave. Qindra fëmijë në të gjithë shtetin po kërkojnë familjet e tyre.

 

Mijëra të tjerëve u nevojitet ndihmë, sepse kanë mbetur të ngujuar në shtëpi pa energji elektrike dhe pa ushqim. Autoritetet njoftojnë se kanë marrë 60-70 mijë telefonata për ndihmë nga banorë të bllokuar. Ende nuk llogaritet dot me saktësi numri i personave që presin evakuimin.

 

Metereologët njoftojnë se përmbytje mund të ketë përsëri, por lajmi i mirë është se përgjatë ditëve në vijim, në rajon nuk do të ketë më shira dhe vërshime si ato që solli uragani Harvey.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *