Alarm i rremë për sulm bërthamor në Hawai

Komisioni Federal i Komunikimit të Shteteve të Bashkuara ka filluar një hetim të plotë mbi ngjarjen që tronditi Hawain dhe SHBA.
Një alarm emergjent që paralajmëronte për një sulm me raketa bërthamore në ishujt Hawai ka përhapur panik në të gjithë vendin. Njerëzit morën masat për evakuim përpara se të sqarohej se ishte një alarm I rremë i cili u dërgua gabimisht në telefonat celularë.
Në mesazh shkruhej: “Kujdes, një kërcënim bërthamor i drejtohet Hawait. Kërko një vendstrehim të menjëhershëm. Kjo nuk është një stërvitje ushtarake”.
Guvernatori David Ige, kërkoi falje për gabimin dhe deklaroi se një punonjës i Agjencisë Shtetërore të menaxhimit të emergjencës kishte shtypur gabimisht një buton në sistem. Autoritetet shtetërorë dhe komandat e Paqësorit të ushtrisë amerikane konfirmuan se mesazhi nuk ishte një kërcënim i vërtetë për shtetin.
Ky incident vjen në një kohë kur tensionet e ndërkombëtarëve janë përshkallëzuar ndjeshëm mbi zhvillimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Hawai është baza e Komandës së Paqësorit, Flotës Paqësore të Marinës dhe disa strukturave të tjera të ushtrisë amerikane.




