Subscribe

I vënë në shënjestër për korrupsion, në thuajse të gjithë sektorët, këtë radhë PD akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dhënë me koncesion Hidrocentralin e Skavicës, në shkelje të të gjitha procedurave ligjore. Për Grida Dumën, kjo është skema e kreut të qeverisë në ndarjen e parave dhe copëtimin e pasurisë së vendit. I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Energjisë, sipas të cilës gjithçka u tha është shpifje dhe se asnjë prej pretendimeve të demokratëve nuk qëndron. Në deklaratën shpërndarë mediave, thuhet se si për koncesionet e tjera, edhe për Hidrocenstralin e Skavicës, është respektuar procedura ligjore. Ministria saktëson, se në zbatim të ligjeve dhe vendimeve të qeverisë, pasi u shqyrtua propozimi për ndërtimin e HEC Katund i Ri mbi Lumin Drin i Zi, është bërë vlerësimi përkatës nëpërmjet Oponencës Teknike Shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, KESH dhe institucioneve të tjera që lidhen drejtpërdrejtë me këtë projekt. Në përfundim të këtij procesi, sqaron Ministria e Energjisë, bazuar edhe në një studim serioz, për të vlerësuar potencialin hidroenergjetik të lumit “Drini i Zi”, Ministria e Energjisë dhe Industrisë e ka vlerësuar projektin me një bonus. Pas këtij hapi saktësohet se Ministria e Energjisë do të vijojë me hapat e mëtejshme procedurale, për hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese, publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *