Akuzat e Berishës ndaj ambasadores Kim, reagon DASH: Të pajustifikuara!
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ashpër ndaj akuzave që i’u drejtuan ambasadores Yuri Kim nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Duke i dalë në mbrojtje diplomates së lartë dhe përgjegjësive të saj, zëdhënësi Ned Prajs i cilësoi deklaratat e Sali Berishës, sulme të pajustifikuara, që nuk përfaqësojnë popullin shqiptar.
“Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.”
Duke shkuar më tej, në reagimin për Zërin e Amerikës, zëdhënsi i Departamentit Amerikan të Shtetit u shpreh optimist për marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy popujve.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë.”
Në muajin maj të këtij viti, Sali Berisha dhe familja e tij, u shpallën zyrtarisht “non-grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, i cili e argumentoi vendimin me përfshirjen e ish-kryeministrit në korrupsion.




